Maqedoni

Ndryshimet kushtetuese, ASh me dy pr/amendamente për ligjin kushtetues. Selmani: shqiptarët përfituan pak

17.12.2018 17:34

Komisioni për Çështje Kushtetuese të martën fillon shqyrtimin e teksteve të propozim/amendamenteve kushtetuese të Qeverisë...

Komisioni për Çështje Kushtetuese të martën fillon shqyrtimin e teksteve të propozim/amendamenteve kushtetuese të Qeverisë së bashku me raportin për rezultatet e diskutimit publik si dhe pr/ligjin kushtetues për zbatimin e amendamenteve kushtetuese nga 33 deri në 36.
 
Nga diskutimi fillestar në Kuvend dhe diskutimi publik propozuesi ndryshoi pjesërisht dy nga katër pr/amendamentet saj.
 
Propozimi i ASh-së për eliminimin e 20%, si kategori kushtetuese që paraqet shqiptarët, nuk u pranua. Në këtë fazë, Aleanca për Shqiptarët, në opozitë, ka parashtruar dy amendamente për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit kushtetues.
 
ASh propozon amendament për ndryshimin dhe plotësimin e nenit 1 të Ligjit kushtetues për zbatimin e amendamenteve nga 33 deri në 36 të kushtetutës ku ndër vendet me të cilat kufizohet Maqedonia duhet të shënohet edhe Republika e Kosovës, si dhe ndryshimin e amendamentit 2, ku përcaktohet deklarimi i shtetësisë si maqedonas/qytetarë, ASh propozon që të mbetet vetëm qytetarë. 
 
Profesori universitar, Bashkim Selmani, konsideron se të gjitha amendamentet e propozuara nga subjektet shqiptare janë reale, por subjektet politike shqiptare nuk ia kanë dalë të nxjerrin maksimumin nga këto ndryshime për shkak të mungesës së unitetit në mbrojtje të interesave shqiptare.
 
“Është fakt që në këtë situatë të fazës së katërt për miratim të aspektit kushtetues të RM-së, realisht ngjalli jounitet ndaj politikës shqiptare. Por gjitha amendamentet e propozuara nga shqiptarët janë për t’u përkapur dhe janë reale, mirëpo janë në kohë dhe proces të vonuar dhe pjesa tjetër që neve na shqetëson realisht është edhe ndryshimi i postulatit të katërt, pasi paraprakisht ishin katër postulate bazë, si: Referendumi i RM-së, Republika e Krushevës, KAÇKM-ja dhe Marrëveshja e Ohrit. Mirëpo Dinakëria maqedonase bëri që Marrëveshjen e Ohrit ta fut si nënelement ndihmës i KAÇKM-së”,- tha profesori universitar, Bashkim Selmani.
 
Sipas Selmanit, shqiptarët në Maqedoni identifikohen sipas Marrëveshjes së Ohrit prandaj partitë politike shqiptare duhet të kërkojnë që MO të mbetet postulat në vete dhe të ndërtojnë rolin dhe pozitën e shqiptarëve në Maqedoni konform këtij postulati, nga i cili më pas mund të burojnë ligje të tjera por edhe eliminimi i 20% me të cilin identifikohen shqiptarët në Maqedoni. 
 
Ndryshimet kushtetuese, kështu siç janë, pritet të miratohen në kuvend deri më 15 janar. Përveç shumicës parlamentare, edhe grupi i pavarur i VMRO DPMNE-së deklaroi se do të mbështesë ndryshimet kushtetuese.
 
Bindje për proces të suksesshëm deklaroi edhe kryeparlamentari, Talat Xhaferi, edhe kryeministri, Zoran Zaev.   
 
SHPËTIM NUREDINI