Maqedoni

Departizimi i organeve të sigurisë, ekspertët kërkojnë reforma dhe ofrojnë ndihmë

17.12.2018 17:40

Fakulteti i Sigurisë në Shkup në bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës, ka nisur një trajnim për të punësuarit në agjenci...

Fakulteti i Sigurisë në Shkup në bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës, ka nisur një trajnim për të punësuarit në agjenci, i cili, sipas bartësve të këtij projekti, ka për qëllim jo vetëm trajnimin e të punësuarve, por edhe  departizimin e organeve të sigurisë. Iniciativa e fakultetit synon që t’i ndihmojë institucionet që kanë detyrime për të zbatuar reformat.
 
“Nëpërmjet këtij projekti të përbashkët do të kontribuojmë drejt departizimit të organeve të sigurisë dhe zbulimit. Pikërisht institucionet të mos jenë gjeneratorë por institucione të cilat do të kontribuojnë në prevenimin e rreziqeve nga kërcënimet e sigurisë. Dhe qëllimi i tretë strategjik është edukimi i të punësuarve në organet e sigurisë”,- u shpreh profesori në Fakultetin e Sigurisë, Marijan Gjurovski.
 
“Jemi të vetëdijshëm se kjo është një periudhë kruciale për përparimin e RM-së, kohë kur institucionet duhet të dëshmojnë pjekuri dhe kapacitet institucional që të përballen me sfidat e kohës së re, në veçanti për detyrimet që dalin nga anëtarësimi në NATO dhe BE. Për këtë qëllim kemi vepruar në mënyrë aktive për t’i ndihmuar institucionet e sigurisë”,- tha dekani i Fakultetit të Sigurisë, Nikolla Dujovski.
 
“Në bazë të analizave, ne kishim ide për të themeluar këtë kurs i cili do të jetë i vazhdueshëm dhe në të njëjtën kohë në procesin e reformave do të shërbejë si një filtër për punonjësit e mundshëm në Agjencinë e Inteligjencës”,- theksoi drejtori i Agjencisë së Inteligjencës, Zoran Ivanov.
 
Në trajnime do të ligjërojnë profesorë të Fakultetit të Sigurisë dhe profesorë të Agjencisë së Inteligjencës. 
 
NAIM RAMADANI