Maqedoni
Ndryshimet kushtetuese, edhe LSDM me propozim/amendament për nënshtetësinë
17.12.2018 18:15
Pas parashtrimit të dy propozim amendamenteve nga Aleanca për Shqiptarët

Pas parashtrimit të dy propozim amendamenteve nga Aleanca për Shqiptarët, e cila kërkon që në Nenin 2 (paragrafi 2), fjalët “qytetarët maqedonas” të zëvendësohet me fjalën “qytetarët” dhe në nenin për përkufizimin kufitar të Maqedonisë që të shtohet edhe Kosova në mesin e fqinjëve kufitarë, edhe LSDM ka dalë me një propozim amendament të ri.
“Në nenin 2 (paragrafi 2), pika në fund të fjalës të zëvendësohet me presje e të shtohen edhe fjalë të tjera, pra fjalia “Maqedonas/qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut” të ndryshohet në “Maqedonas/qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut”, që nuk e përcakton ose paragjykon përkatësinë etnike të qytetarëve”,- thuhet në propozim amendamentin e deputetit të LSDM-së, Muhamed Zeqiri.
Për LSDM-në është i pranueshëm çdo përmirësim në drejtim të ruajtjes së identitetit maqedonas por edhe të bashkësive tjera etnike në Republikën e Maqedonisë. Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi, thotë se kërkesat do të shqyrtohen gjatë debatit për të vërtetuar se cilat prej tyre janë të arsyeshme.
“Do të shqyrtohen në lexim të dytë amendamentet për atë tekst. Dhe nëse një ose më shumë amendamente do të pranohen, do të jenë pjesë e tekstit të ligjit dhe teksti i plotësuar me amendamentet e mundshme që do të pranohen në procedurë, do të shkojë në seancë plenare më 9 janar”,- theksoi kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi.
Afati për amendamente për Ligjin kushtetues ka përfunduar të shtunën, kurse afati për propozim-amendamentet e qeverisë përfundon me fundin e vitit kalendarik. Amendamentet dhe ligji kushtetues votohen me 2/3 e votave.
MERITA GASHI
