Mbledhja e trupit për pajtim
Trupi për Pajtim në mbledhjen e sotme po shqyrton draft-ligjin për amnisti për ngjarjet e 27 prillit....

Trupi për Pajtim në mbledhjen e sotme po shqyrton draft-ligjin për amnisti për ngjarjet e 27 prillit të vitit të kaluar në Kuvend.
Nëse Trupi për Pajtim merr vendim unanim, drafti do të dorëzohet në arkivin e Kuvendit. Jo zyrtarisht, shërbimet e Kuvendit menjëherë do ta nisin në Komisionin për sistem politik. Pas shqyrtimit në komisionin amë, drafti dorëzohet tek kreu i Kuvendit i cili obligohet që ta vendos në seancën plenare të radhës.
Nuk përjashtohet mundësia që drafti të vendoset edhe në seancën e sotme plenare për shkak se i njëjti do të dorëzohet me procedurë të shpejtë.
Draft-ligji për amnisti i përgatitur nga nëngrupi për pajtim në Kuvend, parashikon amnistimin e të akuzuarve për “cenim terrorist të rendit kushtetues”.
Të gjithë personat të cilët përfshihen në akuzën për ngjarjet e përgjakshme në Kuvend, të cilët nuk kanë kryer vepra penale të llojit: dhunë, dhunë fizike, tentim vrasje dhe bashkim për veprimtari kriminale do të lirohen nga ndjekja penale.
Që amnistia t’i kap, të akuzuarit do të duhet personalisht të prononcohen nëse pranojnë ose duan që të vazhdojnë procedurën gjyqësore. Nga 33 të akuzuar, drafti parashikohet t’i amnistojë mbi 20 persona.
Në rast se miratohet Ligji për amnistinë e 27 prillit, organi akuzës pritet të rikualifikojë akuzën në fuqi. Në këtë rast, të pandehurit për 27 prillin do të akuzohen me veprën “bashkim për veprimtari armiqësore” e cila sipas Kodit Penal parashikon të paktën 4 vite burg.
Kjo akuzë do t’i përfshijë vetëm organizatorët e dhunës dhe dhunuesit në ligjvënës.
