Nobelistja Bushamaui: Zaevi e Ciprasi, kandidatë për Çmimin Nobel për Paqe
Kryeministrat e Maqedonisë dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, janë kandidatë për Çmimin Nobel...

Kryeministrat e Maqedonisë dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, janë kandidatë për Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2019 për nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës, marrëveshje me të cilën u tejkalua kontesti për emrin mes dy shteteve që ka zgjatur më shumë se dy dekada.
Ish fituesja e Nobelit për Paqe në vitin 2015, Uided Bushamaui, e cila shpalosi emrat e Zaevit e Ciprasit, theksoi se atë që kanë bërë dy liderët është historike, por njëkohësisht dhanë një model për mbarë botën.
“Jam e nderuar dhe e lumtur që po e nominoj Zoran Zaevin dhe Alexis Ciprasin për Çmimin Nobel të Paqes. Kjo nuk është një mirënjohje vetëm për ta, por për të gjithë qytetarët e Maqedonisë dhe Greqisë. Këta paraqesin një model të paqes. Mendoj që Marrëveshja e Prespës është një shembull dhe një mesazh për të gjithë shtetet, por edhe mbarë botën demokratike se si mund të zgjidhen problemet përmes dialogut”,- tha fituesja e Çmimit Nobel për Paqe – 2015, Uided Bushamaui.
“Marrëveshja e cila u arrit nga Zaevi dhe Ciprasi është lajmi i vetëm që vjen nga Evropa në këto kohë. Ata lanë anësh interesat partiake dhe arritën marrëveshje e cila zgjidh shumë çështje. Opozita në të dyja vendet thotë se Zaevi e Ciprasi kanë shitur shtetin. Si është e mundur që të dy liderët të jenë tradhtarë? Me Marrëveshjen e Prespës mundësohet që të dyja vendet të shikojnë përpara”,- tha anëtari i Parlamentit Evropian, Stelios Kouloglu.
Ish diplomati dhe rektori, Nano Ruzhin, duke thurur lëvdata për dy liderët tashmë kandidatë për Çmimin Nobel, theksoi se historia dhe Ballkani do t’i njohë ata si dy personalitete shumë të rëndësishëm.
“Një ditë historia dhe popujt e Ballkanit do t’i njohin si dy personalitete shumë të rëndësishëm, shembull të cilin e lavdëruan gjithë liderët botërorë. Zaevi dhe Ciprasi, secili nga këndet e tyre, sfiduan fatin e tyre. Çfarëdo që të bëjmë, varet e gjitha se a do të na mbështesin shumica e qytetarëve? A do t’ia dalin madje edhe me çmimin që të rrezikojnë pozicionet e tyre politike”,- theksoi ish diplomati, Nano Ruzhin.
Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë dhe ajo greke, të udhëhequr nga kryeministrat, Zoran Zaev dhe Alexis Cipras, më 17 qershor të vitit 2018 nënshkruan marrëveshjen, e njohur si Marrëveshja e Prespës, e cila i jep fund kontestit shumëvjeçar për emrin. (Zekirija Mexhiti, TVM2)
