Botë
Ushtria e Kosovës temë në KS-OKB, tetë vende të BE-së në përkrahje të Kosovës
18.12.2018 16:28
8 vende të Bashkimit Evropian, anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i dhanë mbështetje të drejtës së Kosovës për themelimin e ushtrisë së saj....

Belgjika, Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Polonia, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuara ftojnë dy vendet për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme, thelbësore kjo që Serbia dhe Kosova të përparojnë në rrugën e tyre evropiane.
“Nisja e procesit të tranzicionit, Forcës së Sigurisë së Kosovës, është e drejtë sovrane e Kosovës. Ne e kemi parasysh përkushtimin e Kosovës për transformimin gradual të FSK-së, në bashkërendim të plotë me NATO-n dhe partnerët e saj”,- theksoi përfaqësuesi i Holandës në OKB, Karel Jan Gustaaf Van Oosterom.
Edhe nga OKB ftojnë të dyja vendet të dialogojnë.
“Ne jemi tani të shqetësuar për rritjen e tensioneve, veçanërisht në veri të Kosovës. Është thelbësore për Beogradin dhe Prishtinën të evitojnë çdo hap që mund të përkeqësojë situatën dhe të gjejnë mënyrë për rikthimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre”,- theksoi nënsekretari gjeneral për operacionet paqësore i OKB-së, Jean Pierre Lacroix.
Por presidenti serb, Aleskandër Vuçiç, u ankua se Serbia po përballet gjithnjë e më shumë me vështirësi në Kosovë.
“Serbia ka bërë gjithçka për të ruajtur stabilitetin, qetësinë dhe paqen në rajon. Si kundërpërgjigje vunë tarifën për mallrat serbe. Sikur kjo të mos mjaftonte, ata shpallën dëshirën për të krijuar ushtrinë e tyre, një veprim në kundërshtim me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe në kundërshtim edhe me kushtetutën e tyre, që Serbia nuk e njeh”,- tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në mbrojtje të Serbisë padyshim ishte edhe Rusia, që akuzoi jo vetëm Kosovën por edhe partnerët e saj ndërkombëtarë.
“Formimi me urgjencë i FSK-së është kërcënim për paqen dhe sigurinë në rajon, që mund të rikthejë konfliktin e armatosur. Zhvlerësimi i rezolutës 1244, jo vetëm që po trajtohet me mospërfillje, por bëhet me mbështetjen dhe dijeninë e vendeve udhëheqëse perëndimore, në prani të KFOR-it, që është i vendosur atje bazuar pikërisht në rezolutën 1244”,- theksoi përfaqësuesi i Federatës ruse në OKB, Vasily Alekseevich Nebenzya.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se vendimi për ushtrinë është vendim i një shteti sovran dhe si i tillë është i pakthyeshëm.
“Asgjë e jashtëzakonshme s’ka ndodhur në Kosovë javën e kaluar. Në fakt ajo që ndodhi ishte vendim krejt normal, i drejtë, me mision dhe qëllim. Nëse Kosova ka bërë gabim, është sepse ka pritur pesë vite pa nevojë për themelimin e ushtrisë. Vendimi për ushtrinë është i vonuar e assesi i gabuar. Është i vonuar sepse kemi pritur vullnet të mirë nga ata që deri më tani nuk e treguan në raport me shtetin e Kosovës. Por, tani Republika e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur ka marrë veprim të hapur për ushtrinë. Çfarë ka të jashtëzakonshme këtu? Asgjë fare.”,- tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Për presidentin Thaçi, kërcënimi i vetëm për rajonin janë thirrjet irracionale për konflikt dhe luftë nga fqinji verior. Thaçi qartësoi se themelimi i ushtrisë nuk dublon misionin e NATO-s në Kosovë, i cili do të vazhdojë të kujdeset për sigurinë, siç ka bërë që nga hyrja e tij në Kosovë në vitin 1999 për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe. “Duhet t’i numëroj disa fakte para jush, sepse detyrohem”, theksoi Thaçi, duke shtuar se “shteti i Serbisë ka vrarë 13500 civilë shqiptarë”. ]
“Aparati shtetëror i tyre, formacionet ushtarake kanë dhunuar rreth 20 mijë gra shqiptare. 13500 civilë shqiptarë të vrarë, asnjë i akuzuar e lëre më i dënuar. As për 20 mijë gratë e dhunuara, asnjë i dënuar. Një milion shqiptarë të dëbuar. 40 për qind e infrastrukturës e shkatërruar. 400 masakra kundër shqiptarëve, asnjë i akuzuar, lëre më i dënuar”,- theksoi mes tjerash presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
GYLTENE SINANI
