Maqedoni
Stavriq: Klinika e fëmijëve pa qendër urgjente; Filipçe: është punësuar numër i madh i mjekëve, maskat mbrojtëse nga ndotja, në fund të janarit
18.12.2018 17:32
Për shkak të mungesës së kuadrit, Qendra e vetme urgjente në Maqedoni nuk është në funksion tre vite...

Nga Klinika për sëmundjen e fëmijëve thonë se nuk ka specialistë nga pediatria dhe infermierë.
Vendi i paraparë për shërbime urgjente tani është laboratori, fëmijët me sëmundje të rënda përzihen me pacientët që janë me viruse dhe infeksione.
“Kur të kemi mundësi dhe specialistë për pediatri dhe kur të kemi kuadër të mesëm mjekësor, do ta lëshojmë në funksion. Nëse kaloni në repartin subspecialistik do të shihni se nuk ka frekuencë të madhe, “Termini im” funksionon dhe fëmijët që vijnë për konsultime në ambulancat tjera vijnë në terminin e caktuar, kështu që nuk ka përzierje të madhe dhe nuk është ndonjë problem për t’u shqetësuar, pasi edhe më herët kështu kemi funksionuar”,- u shpreh drejtoresha e Klinikës së fëmijëve, Katerina Stavriq.
Largimi i kuadrit jashtë vendit vazhdon. Edhe 3 specialistë nga pediatria e kanë lëshuar ekipin e Klinikës së fëmijëve, problem shtesë është se ky është kuadër deficitar në vend.
“Gjithandej në Maqedoni janë punësuar numër i madh i mjekëve dhe infermierëve. Nga fillimi i vitit numri është rreth 2300, kemi nënshkruar 250 specializime, më kritike ishte me specializimet e pediatrisë dhe anesteziologjisë për shkak të mungesës së mentorëve. Bëjmë gjithçka që mundemi për ta përforcuar sistemin”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Qendra urgjentë ishte hapur para 5 viteve dhe ka funksionuar vetëm dy vite, kjo qendër ishte donacion nga Agjencia turke “Tika”.
VLORA LATIFI TOPOJANI
