Maqedoni
Marrëveshja e Prespës, Sullivan: ShBA fuqishëm mbështet zbatimin e plotë
18.12.2018 17:47
Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbështesin fuqishëm zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës...

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbështesin fuqishëm zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës, marrëveshje që siguron prosperitet për dy vendet nënshkruese, ka deklaruar në Shkup zëvendëssekretari amerikan i shtetit, John Sullivan, i cili ndodhet për vizitë në Shkup.
“ShBA fuqishëm mbështesin zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës, e cila do t’i mundësojë Maqedonisë të marrë vendin e merituar në NATO dhe BE, si Republika e Maqedonisë së Veriore, duke kontribuar në stabilitetin rajonal, siguri dhe prosperitet. Siç po rrjedh procesi i zbatimit të marrëveshjes në kuvend, inkurajojmë më shumë deputetë që t’i lënë anash interesat partiake dhe të përqendrohen te strategjia e përbashkët. Alternativë tjetër nuk ka”,- tha zëvendëssekretari amerikan i shtetit, John Sullivan.
ShBA-të do të qëndrojnë me Maqedoninë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO dhe BE, pavarësisht pengesave që mund të paraqiten, në radhë të parë nga Rusia e cila duket qartë se punon për rrënimin e Marrëveshjes së Prespës.
“Nuk është sekret që Rusia kundërshton rrugën që Maqedonia ka zgjedhur dhe se do të përpiqet ta minojë atë në çdo mënyrë që do të mundet. E kemi parë këtë edhe në pjesë të tjera të Evropës po edhe në zgjedhjet në ShBA. Pra, nuk është befasi, por dua të theksoj se ShBA-të do të qëndrojnë me Maqedoninë, me njerëzit e Maqedonisë dhe do t’i ndihmojmë të tjerët që janë të bashkuar në mbrojtjen e kësaj Qeverie, duke u konfrontuar dhe duke e kundërshtuar ndikimin dashakeqës rus në Maqedoni dhe kudo tjetër”,- tha zëvendëssekretari amerikan i shtetit, John Sullivan.
Ndërkohë, kryeministri, Zoran Zaev, theksoi përkushtimin e Qeverisë për zbatimin e marrëveshjes. Sipas tij, garanci për sukses është përfshirja e gjerë në proces.
“Garanci më serioze për suksesin e procesit është gjithëpërfshirja e vetë procesit, përmes të cilit një numër i madh i deputetëve marrin pjesë në mënyrë aktive. Jo vetëm 8 deputetët e grupit të ri parlamentar të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit por edhe deputetët tjerë. Në fazën e dytë po ashtu, kur flitej për draft amendamentet dhe ja në fazën e tretë patë se dolëm me amendamente ku janë marrë parasysh të gjitha propozimet e opozitës maqedonase dhe partive shqiptare”,- theksoi kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.
Gjatë vizitës në Maqedoni, zëvendëssekretari amerikan i shtetit, John Sullivan, është takuar edhe me kryetarin e kuvendit, Talat Xhaferi, presidentin Ivanov, si dhe ministrin e punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov.
NAIM RAMADANI
