Maqedoni
Tetovë, studentët në protesta, UT: Nuk hezitojmë të dëgjojmë zërin studentor
18.12.2018 18:18
“Duam drejtat tona”, “Studentët e bashkuar kanë për të fituar”, “Jashtë partitë politike, poshtë korrupsioni”.....

“Duam drejtat tona”, “Studentët e bashkuar kanë për të fituar”, “Jashtë partitë politike, poshtë korrupsioni” - këto ishin brohoritjet e qindra studentëve që protestuan në qytetin e Tetovës, duke kërkuar depolitizim të universiteteve, tarifa më të ulëta, largim të profesorëve që kushtëzojnë notën me blerjen e librave të tyre dhe kërkesa tjera, që i parashtruan në adresë të universiteteve, qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit.
“Kërkesat tona janë nepotizëm të fakultetit. Provimet t’i kalojnë studentët që kanë dituri e jo lidhje në arsim. Do të vazhdojmë me bojkotim të mësimit deri në plotësimin e kërkesave”,- theksoi një student.
“Kërkesat janë shumë me vend, unë jam nga një universitet privat i UEJL-së, bazuar në kërkesat e tyre ata u drejtohen universiteteve shtetërore, megjithatë edhe ne kemi probleme”,- tha një student.
“Unë sot jam në rolin e maturantin, nesër edhe unë do të jem në rolin e studentit, prandaj duhet që këto çështje të zgjidhen sa më parë dhe ne në të ardhmen të kemi kushte më të mira”,- u shpreh një student.
Edhe një numër i banorëve të Tetovës përkrahën protestën e studentëve, duke drejtuar gishtin drejt partive politike.
“Janë partitë politikë që sollën në këtë gjendje si të studentëve dhe të gjithë popullit shqiptar. Këta janë në ditët më të vështira të jetës sepse rinia studentore çdo ditë ikin në mënyra më të ndryshme për të arritur qëllimin e vet financiar dhe ekonomik”,- tha një banor.
Nga Universiteti i Tetovës me një komunikatë me shkrim janë shprehur se kurrë nuk kanë hezituar të dëgjojnë zërin e studentëve dhe se Universiteti i Tetovës është i rinisë studentore dhe popullit.
“Universiteti i Tetovës kurrë nuk ka hezituar dhe nuk do të hezitojë ta dëgjojë zërin studentor dhe të reflektojë për të mirën e studentëve dhe mbarë shoqërisë. Për çdo shqetësim studentor, për aq sa kemi pasur ankesa të bazuara dhe të qëndruara, ne gjithmonë kemi marrë masat e duhura dhe do të jemi gjithmonë të gatshëm t’i qëndrojmë fisnik këtij parimi human, etik dhe ligjor. Universiteti i Tetovës është i popullit dhe rinisë studentore dhe nuk guxon të bëhet tabelë qitjeje e askujt, aq më pak e grupeve të caktuara të interesit. Çdo shqetësim, pakënaqësi apo revoltë duhet të zgjidhet institucionalisht, qoftë ajo individuale apo kolektive”,- u tha nga Universiteti i Tetovës.
Studentët marshin protestues e përfunduan para godinës së Universiteti të Tetovës, të cilët kërkuan edhe një herë nga Qeveria e Maqedonisë, konkretisht nga Ministria e Arsimit, nga të gjithë rektoratet e universiteteve, që të plotësohen kërkesat e tyre. Ata paralajmëruan që nesër pikërisht në këtë vend do të vazhdojnë me protesta deri në realizimin e kërkesave të tyre.
VISAR SADIKI
