Maqedoni

Kuvend, konstatohet nevoja për Ligjin e amnistisë

18.12.2018 18:22

Kuvendi republikan votoi nevojën për miratimin e Ligjit për amnisti, i cili do të miratohet me procedurë të përshpejtuar....

Ky ligj është pjesë e planit nacional për pajtim, i iniciuar nga Qeveria. Paraprakisht, Komisioni apo Trupi për pajtim ndërpartiak shqyrtoi dhe hartoi draft propozim ligjin për amnisti.
 
“Me Ligjin për amnisti parashihet të rregullohet dhe të lirohen disa persona nga padia penale, parandalohen paditë penale të lëshuara, apo gjykim me kusht për personat të cilët kanë marrë pjesë në ngjarjet e 27 prillit në Kuvend”,- tha deputeti i pavarur, Zeçir Ramçilloviç.
 
Ky ligj parasheh amnistimin për të gjithë personat që kanë qenë në ngjarjet e 27 prillit, duke i përjashtuar ata që organizuan protestat, personat të cilët kanë kryer dhunë fizike, personat të cilët kanë mbajtur armë dhe pajisje shpërthyese, si dhe personat zyrtarë të cilët i kanë tejkaluar autorizimet zyrtare. 
 
Deputetja e LSDM-së, Frosina Remenski, si përfundim nga debati në Komisionin ndërpartiak për pajtim, theksoi se ligji është hartuar mbi bazën e veprave që nuk do të përfshihen në amnisti dhe se draft-ligji nuk synon rikualifikimin e veprës në “bashkim për veprimtari armiqësore”.
 
“Nuk do të amnistohen personat që kanë qenë organizatorë të ngjarjeve të 27 prillit. Këtu hyjnë personat që kanë pasur armë, personat që kanë hyrë me maska, ata që kanë kryer dhunë dhe personat zyrtarë që i kanë shkelur autorizimet”,- tha deputetja e LSDM-së, Frosina Remenski, pas mbarimit të mbledhjes së Trupit Interpartiak për pajtim.
 
Këtë ligj nuk e kanë pranuar deputetët e ASh-së dhe Vesel Mehmeti i RDK-së. Nga ASh votuan kundër nevojës për propozim-ligjin e amnistisë për 27 prillin. Kreu i ASh-së propozimin e quajti një turp të ligjvënësit dhe humbje të shpresës së qytetarëve për shtet të së drejtës.
 
Sela përmendi edhe faktin që me këtë ligj amnistohen ata që deshën ta vrasin, ndërsa dënohet ai që e shpëtoi, duke aluduar në Abdylfeta Alimin. Sipas Trupit ndërpartiak për pajtim, të njëjtit nuk kanë pasur të drejtë të japin kualifikime se kush duhet të fitojë amnisti, sepse për atë do të vendosë gjykata në bazë të Prokurorisë Publike, që do të themelohen në dëshmitë që i posedon.
 
FITIM KRYEZIU