Maqedoni

Valon Kupa nga “Evita group”, sipërmarrës i vitit

18.12.2018 19:03

Sipërmarrësia është një nga shtytësit kryesorë të rritjes ekonomike dhe kontribuon në krijimin e vendeve të reja të punës...

Kjo u tha në ndarjen e çmimeve “Sipërmarrësi i vitit”, ku u ndanë çmimet për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Maqedoni. 
 
Valon Kupa nga “Evita Group” u zgjodh si sipërmarrës i vitit në kategorinë e ndërmarrjeve të vogla, kurse në kategorinë e kompanive mikro u zgjodh Sashko Andonov nga Toçka.net.
 
Ata thanë se marrja e këtyre çmimeve do t’i inkurajojë për të punuar edhe më shumë. 
 
“Të bërit biznes në këtë dhjetëvjeçarin e fundit, sidomos nga kriza financiare në 2008, pasi ka pasur batica-zbatica, që natyrisht e ka bërë të bërit biznes në Maqedoni jo shumë të lehtë për ne sipërmarrësit, por sa më i vështirë është rrugëtimi, besoj që aq më vlerësues duhet të jetë edhe suksesi”,- tha sipërmarrësi i vitit -ndërmarrje të vogla, Valon Kupa.
 
“Ky çmim paraqet një motivim të madh për të vazhduar në shtegun të cilin e kemi vizatuar në shumë suksese tjera”,- tha sipërmarrësi – ndërmarrje mikro, Sashko Andonov.
 
Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, me këtë rast tha se mbështetja e shtetit ndaj ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme mbetet prioritet kryesor i qeverisë. 
 
“Këtë vit nga ky program financiarisht janë mbështetur rreth 138 kompani, 19 artizanë, 9 projekte të fondacioneve, shoqata të qytetarëve dhe oda të zanateve të cilat kanë plotësuar kushtet për masat nga ky program. Me mbështetjen e NVM-ve dhe sipërmarrjes në Maqedoni, do të vazhdojmë edhe vitin e ardhshëm, duke hapur mundësi të reja për të gjithë ju që të merrni mbështetje për të realizuar aktivitetet e juaja të biznesit. Kjo mbështetje do t’ju inkurajojë dhe do t’ju japë motiv shtesë për t’ju hapur mundësi të reja në biznes, dhe pse jo për të pushtuar tregje të reja”,- theksoi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
Kryetarja e LOE-së, Daniella Arsovska, tha se këtë vit, përkundër sfidave të shumta në planin politik, ka numër të madh të cilët u inkurajuan për t’u pozicionuar në treg, kurse kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha, tha se mbështetja e qeverisë ndaj NVM-së është shumë e rëndësishme, duke pasur parasysh se suksesi i bizneseve asnjëherë nuk është i garantuar.
 
ERSAN PAJAZITI