Bruksel, Mogerini takim joformal me liderët e Ballkanit
Shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini....

Shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka organizuar sot një takim joformal me liderët e Ballkanit Perendimor në Bruksel.
Në këtë takim do të diskutohet për situatën në rajon, arritjet gjatë vitit 2018, si dhe planet për vitin e ardhshëm. Në këtë takim do të marrë pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, ku do të diskutohet për zhvillimet e fundit në vend.
“Në vitin 2018 është konfirmuar perspektiva e qartë evropiane, e bazuar në meritat dhe rezultatet, për të gjithë partnerët në Ballkanin Perëndimor” thuhet në njoftimin e shërbimit të jashtëm të Bashkimit Evropian.
Pos kryeministrit Zaev, në takim do të jenë të pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiq si dhe kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Denis Zvezdiq.
Komisioni Evropian, në shkurt, miratoi strategjinë për Ballkanin Perëndimor, ndërkaq në samitin me BE-në në Sofje, në muajin maj, u mblodhën gjithë përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, për herë të parë pas 15 vjetëve.
