Ligji për amnisti, pritet firma e presidentit Ivanov, Qeveria: Nuk përzihemi në gjyqësor, mbështesim pajtimin

19.12.2018 15:16

Ligji për amnisti është dorëzuar në kabinetin e presidentit Ivanov dhe pret firmën e tij...

Ligji për amnisti është dorëzuar në kabinetin e presidentit Ivanov dhe pret firmën e tij. Pritet që Ligji të nënshkruhet në afat të shkurtër kohor. Pas nënshkrimit nga presidenti, ligji duhet të shpallet në Gazetën Zyrtare dhe do të hyjë në fuqi.

Të akuzuarit për ngjarjet e 27 prillit, sipas ligjit, kanë 5 ditë afat  që të dorëzojnë kërkesat për amnisti. Më pas për kërkesat vendos Këshilli Gjyqësor, i kryesuar nga Dobrila Kacarska, në konsultim me prokuroren publike, Vilma Ruskovska, e cila e ka ngritur akuzën. Për momentin, Gjykata Themelore 1 dhe Prokuroria nuk komentojnë mënyrën e shqyrtimit të kërkesave pasi presin publikimin e ligjit të Gazetën Zyrtare.

Nga Qeveria thonë se amnisti për organizatorët nuk do të ketë, as për ata që kanë qenë pjesëmarrës direkt apo kanë kryer dhunë gjatë natës së 27 prillit në Kuvend. Por, zëdhënësi Boshnjakovski u kujdes të ripërsërisë se Qeveria nuk përzihet në gjyqësor.

“Siç kemi thënë disa herë, Qeveria mbështet akte të cilat definojnë qartë pajtimin. Pra, qartë të definohet dhe të bëhet dallim mes pjesëmarrësve në dhunë dhe pranisë në kuvend. Këto vendime politike mbajnë përgjegjësi politike. Në asnjë mënyrë nuk do të ketë ndërhyrje në gjyqësor. Do të arrihet pajtimi dhe është e qartë se nuk do të ketë amnisti për organizatorët apo ata që kanë marrë pjesë ose kanë kryer dhunë”,- tha zëdhënësi i qeverisë, Mile Bosnjakovski.

Ligji për amnisti që u miratua me 95 vota “për” në Kuvend, përmban gjithsej 5 nene dhe më shumë merret me atë se kush nuk do të amnistohet. (Zekirija Mexhiti, TVM2)