Maqedoni

Aksident në Shkup, makina përplaset me trenin, humb jetën 34-vjeçari. Spasovski: hekurudha të përforcojë sinjalizimet

19.12.2018 16:18

34 vjeçari, Ali Bekteshi, nga Shkupi, mëngjesin e së mërkurës humbi jetën në kalimin hekurudhor në lagjen Maxhari - Shkup...

34 vjeçari, Ali Bekteshi, nga Shkupi, mëngjesin e së mërkurës humbi jetën në kalimin hekurudhor në lagjen Maxhari - Shkup, pas përplasjes së automjetit që drejtonte me trenin që kalonte në atë moment.
 
Bekteshi ka qenë polic i punësuar në stacionin policor të Gazi Babës, ndërsa vetura me të cilën udhëtonte ka qenë në pronësi të MPB-së.
 
Numri “një” i MPB-së, Oliver Spasovski, apelon që Hekurudhat e Maqedonisë të përforcojnë sinjalizimin në kalimet hekurudhore.
 
“Në mënyrë të vazhdueshme apelojmë për gjendjen e kalimeve hekurudhore dhe për problemet që hasen me funksionimin e sinjalizimit dhe të ndriçimit. Kuptohet se edhe për këtë rast nuk duhet të ketë kërkesë të veçantë për këtë kalim hekurudhor ku ka ndodhur ngjarja tragjike, por autoritet kompetente të Ndërmarrjes Publike “Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastruktura dhe Transporti” duhet të jenë të vetëdijshëm dhe të ndërmarrin masat e nevojshme për të ruajtur jetën e qytetarëve në këto kalime”,- tha  ministri i brendshëm, Oliver Spasovski.
 
“Hekurudhat e Maqedonisë - Infrastruktura” nuk komentojnë detajisht aksidentin tragjik,  por jozyrtarisht thonë se në atë vend ka pasur sinjalizim të nevojshëm.
 
MPB dhe Prokuroria po hetojnë aksidentin konkret. Për momentin është dhënë urdhër për  konfiskimin e video incizimeve të kamerave të sigurisë për të bërë obduksion mbi trupin e viktimës, janë mbledhur provat nga terreni dhe është marrë në pyetje drejtuesi i trenit. 
 
Kalim hekurudhor në Maxhari në të kaluarën ka qenë si një ndër pikat më të zeza të kalimit në Shkup, për shkak se në të shumtën e rasteve nuk është respektuar regjimi i komunikacionit në periudhën kur kalonin trenat. 
 
REXHEP QAMILI