Maqedoni
Ligji për amnisti, Millanov: Ligji për amnisti është kontrovers; Janeva: amnistimi nga Ivanovi, dallon nga ky aktual; Tasevski: me rëndësi përparimi i shtetit, jo falja
19.12.2018 16:33
Për avokatët mbrojtës të të akuzuarve për dhunën e 27 prillit të vitit të kaluar në Kuvendin republikan...

Për avokatët mbrojtës të të akuzuarve për dhunën e 27 prillit të vitit të kaluar në Kuvendin republikan, Ligji për amnistinë, i miratuar të martën, është tepër kontrovers.
Avokati i tre të akuzuarve për këtë rast, Elenko Millanov, thotë se procedura gjyqësore duhet të presë mbarimin e shqyrtimit të kërkesave për amnisti. Pasi të njëjtat të jenë të plotfuqishme, për ata që nuk do t’u lejohet amnistia, prokuroria do të mund të bëjë aktakuzë të re apo të rikualifikojë veprën.
“Do të jetë mjaft kontroverse se një kohë të gjatë nuk do të vendoset për ato kërkesa. Secilin ligj për amnisti e implementon gjykata dhe prokuroria ka të drejtë ankese. Këtu nuk mund të jepet mendim. Ligji askund nuk parasheh kërkesë mendimi nga prokuroria. Gjykata vendos, ndërsa nëse prokuroria vlerëson se dikush ka fituar amnisti jashtë suazave të ligjit, ka të drejtë ankese”,- tha avokati, Elenko Millanov.
Edhe kryeprokurorja speciale, Katica Janeva, pranon se ligji do të shkaktojë probleme, por assesi që nuk do të pengojë, sipas saj, punën e prokurorisë.
Për Janevën, ka një dallim rrënjësor mes amnistisë paraprake të dhënë nga presidenti Ivanov dhe amnistisë përmes ligjit të fundit.
“Amnistia e presidentit ishte mbi të dhëna të panjohura. Ai nuk kishte të dhëna për personat që i amnistoi. Amnistia e tij ishte plotësisht joligjore sepse u amnistuan edhe gjykatës, dëshmitarë, shtetas të huaj dhe persona të cilët nuk kanë qenë aspak në procedurë, as gjyqësore e as në prokurori. Me këtë 2 muaj prokuroria nuk punoi në punën e rregullt të saj. Absolutisht edhe kjo amnisti do të këtë ndikim në Prokurorinë Publike, por nuk do të kisha dashur të komentoj diçka që nuk është pjesë e imja”,- theksoi kryeprokurorja speciale publike, Katica Janeva.
Për drejtorin e Byrosë për Siguri Publike, Sasho Tasevski, që më 27 prill rrezikoi jetën në mbrojtje të deputetëve që u sulmuan, më me rëndësi është avancimi i shtetit. Ai pret që për fajtorët të gjykojë drejtësia.
“Ndjenja personale është krejtësisht diçka tjetër, ndërsa tjetër është përparimi i shtetit, duhet të shohim përpara. Tani ka ligj dhe ai le t’i gjykojë”,- tha drejtori i BSP-së, Sasho Tasevski.
Ligji për amnisti është pjesë e planit nacional për pajtim të iniciuar nga Qeveria.
FLORIJE BELULI KAMBERI
