Ekonomi
Propozim buxheti për vitin 2019, Tevdovski: Buxhet për standard më të mirë
19.12.2018 17:14
Arka e shtetit për vitin 2019 ka përplasur përfaqësuesit e pushtetit dhe opozitës në Kuvend, ku ka nisur shqyrtimi i propozim-buxhetit në seancë plenare....

Ministri i financave, Dragan Tevdovski, para deputetëve tha se ky propozim buxhet paraqet dëshmi se qeveria po punon në arritjen e qëllimeve, përkatësisht rritje më të madhe ekonomike, standard më të mirë, sundim të së drejtës, barazi sociale për qytetarët dhe anëtarësim në NATO dhe BE.
“Me propozim-buxhetin parashikojmë uljen e deficitit buxhetor për gjysmë miliardë denarë. Prej 2,7% nga BPV në vitin 2018 deficiti zvogëlohet në 2.5% në vitin 2019. Kjo politikë e disiplinuar fiskale është komponentë kyçe për stabilizimin afatmesëm të borxhit publik. Udhëheqja e një politike transparente fiskale nuk do të thotë vetëm rënie të deficitit por edhe investim të parave publike në ekonomi dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve”,- tha ministri i financave, Dragan Tevdovski.
Deputetët e VMRO-DPMNE-së akuzuan se bëhet fjalë për një buxhet megaloman dhe shkatërrues, ndërkaq Rexhail Ismaili nga BDI vlerësoi se vendi disponon me kapacitete të mjaftueshme për rritje më të madhe ekonomike, teksa kërkoi realizim të plotë të projeksioneve për vitin 2019.
“Ju propozoni një buxhet megaloman dhe shkatërrues, jozhvillimor, i cili në mënyrë plotësuese do t’i varfërojë qytetarët. Ju që planifikuat rritje në vitin 2017 ndërsa realizuat 0% rritje, kur të gjithë përreth nesh kishin rritje mbi 3% të BPV-së. Si të besojmë ne si përfaqësues të qytetarëve kur shisni vetëm populizëm. Projeksionin e buxhetit kështu siç e ofroni nuk ka bazë reale”,- theksoi Liljana Kuzmanovska nga VMRO-DPMNE.
“Kërkoj që në vitin 2019 institucioneve që u janë ndarë mjete të gjejnë mundësinë e realizimit të këtyre mjeteve. Të mos na ndodh që investimet kapitale të kapin shifrat 20, 30, 40%, por ato duhet të jenë të realizuara 100% sepse gjatë hartimit të buxheteve ministritë kanë kërkuar mjete për realizimin e projekteve”,- u shpreh Rexhail Ismaili nga BDI.
Debati për propozim-buxhetin e vitit 2019 do të zgjasë 5 ditë në kuvend.
NAIM RAMADANI
