Maqedoni
Benefitet nga anëtarësimi në NATO dhe BE, Serbos: anëtarësimi, thelbësor për stabilizimin e rajonit
19.12.2018 17:43
Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës dhe zbatimi i reformave sigurojnë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE...

Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës dhe zbatimi i reformave sigurojnë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE, ndërkaq anëtarësimi në këto dy organizma sjell të mira të shumëfishta për qytetarët e Maqedonisë, por edhe siguri dhe stabilitet për rajonin. Profesorët universitarë nga vendet e rajonit, bazuar në përvojat e vendeve përkatëse, vlerësojnë se me arritjen e Marrëveshjes për emrin, Maqedonia ka gjetur rrugën për plotësimin e aspiratave të saj për anëtarësim në NATO dhe BE, ndërkaq benefitet nga ky anëtarësim janë të shumta.
“Shpresoj se Marrëveshja e Prespës do të ratifikohet në Parlamentin grek. Ky është hap historik jo vetëm për dy vendet, por edhe për stabilitetin e gjithë rajonit. Marrëveshja është me shumë interes për vendet tona. Ne jemi aleati i juaj i natyrshëm në këtë proces dhe do të vendosim partneritet strategjik, me interes për dy vendet dhe për rajonin, si pjesë thelbësore për stabilizimin e rajonit”,- deklaroi profesori në Universitetin Demokratik të Trakisë, Sotiris Serbos.
Kujdes të posaçëm duhet treguar në zbatimin e reformave të domosdoshme për të kaluar pragun, rekomandon profesoresha nga Mali i Zi, Nikoleta Gjukanoviq.
“Më me rëndësi është që tejkaloni dobësitë në shoqëri, dhe kjo bëhet përmes reformave. Mund t’ju japim rekomandime për bisedimet paraqasëse për në BE. Përfitimet nga anëtarësimi janë politike, të sigurisë dhe ekonomike”,- tha profesoresha në Universitetin “Dolna Gorica”, Nikoleta Gjykanoviq.
Vendi ka shënuar progres në zbatimin e reformave në sferën e sigurisë, thotë profesori universitar, Nikolla Dujovski. Sipas tij, në periudhën e procesit të skriningut këshillues, institucionet duhet të rrisin kapacitetet dhe të përgatiten për skriningun e kapitujve 23 dhe 24.
“Rekomandimet kryesore janë se rruga nëpër të cilën lëviz Maqedonia është kahja e duhur për përparimin e shoqërisë sonë. Presim që me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës dhe zbatimin e saj, Maqedonia do të rrumbullakojë proceset për anëtarësim në NATO, me këtë përfitim do të kenë qytetarët”,- theksoi dekani i Fakultetit për Siguri, Nikolla Dujovski.
Përfitimet nga anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe BE ishin çështje e debatit shkencor të organizuar nga Sektori për eurointegrime dhe Fakulteti i Sigurisë.
SHPËTIM NUREDINI
