Maqedoni
Ultimatum autoriteteve, studentët: 7 ditë afat për plotësimin e kërkesave
19.12.2018 18:10
Vazhdoi në ditën e dytë protesta e studentëve në Tetovë....

Ndërmjet 15 kërkesave të tyre, ata kërkojnë tarifa më të ulëta, kushte më të mira, heqjen e pagesës prej 50 euro për praktikë, largimin e profesorëve të cilët kushtëzojnë studentët me blerjen e librave të tyre në shkëmbim të nënshkrimit apo notës, si dhe depolitizim të universiteteve.
Studentët iu dhanë ultimatum qeverisë, ministrisë dhe rektorateve, që tua plotësojnë kërkesat brenda 7 ditëve, në të kundërtën paralajmëruan protesta më radikale.
“Keni afat kohor prej 7 ditësh që të reflektoni të filloni me plotësimin e kërkesave tona dhe këto t’i bëni publike edhe për opinionin. Në të kundërtën nuk kemi rrugë tjetër përveç të takohemi përditë këtu në shesh, përpara rektorateve të universiteteve dhe përpara Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës”,- tha një student.
Studentët ankohen për kërcënime, por thonë se nuk do ta ndërpresin protestën.
“Kërcënime ka pasur, edhe nga profesorët edhe nga militantë politikë që mos dalim të realizojmë kërkesat tona”,- u shpreh një student.
“Do vazhdojmë me protesta deri sa të merren parasysh kërkesat tona dhe plotësimin e kushteve të cilat ne i kemi kërkuar. Kemi pasur presione të ndryshme, por ne nuk do të ndalemi pa marrë parasysh kërcënimeve”,- tha një student.
Nga Universiteti i Tetovës thonë se ende zyrtarisht nuk i kanë pranuar kërkesat e studentëve. Protestuesit tentuan të hyjnë brenda UT-së, por u ndaluan nga policia e cila kërkoi që studentët e UT-së që do të legjitimohen përmes indekseve, do të lejohen të hyjnë brenda. Edhe organizatorët e protestës ftuan studentët e UT-së të tregojnë indekset e të hyjnë në hapësirat e universitetit, por shumica nuk pranuan dhe u larguan. Nga UT thonë se problemet do t’i diskutojnë vetëm me studentët e tyre e jo edhe me ata të universiteteve të tjera.
“I ftojmë studentët e Universitet të Tetovës, të hyjnë në mënyrë institucionale dhe t’i parashtrojnë kërkesat e tyre. Për studentët tjerë që janë të universiteteve tjera nuk jemi kompetentë për zgjidhjen e kërkesave të tyre. Ne ende nuk kemi kërkesë në mënyrë institucionale që t’u përgjigjemi kërkesave tuaja. Universiteti është i hapur, është i juaji, ju ftoj që në amfiteatër të ulemi jo për të bërë pazare, të ulemi t’i diskutojmë problemet për të cilat i kemi”,- tha Kushtrim Ahmeti nga UT.
Edhe përkundër dyshimeve për tentime të keqpërdorimit politik të protestës së studentëve shqiptarë, vetë studentët potencojnë se nuk protestojnë për partitë politike, por për të drejtat e tyre.
Studentët kërkojnë që MASh dhe universitetet të plotësojnë kërkesat e tyre dhe jo t’i komentojnë përmes kumtesave. Në shenjë revolte para dyerve të UT-së lanë pankartën “Teksa presim të piqen kushtet, na u kalbën eshtrat”.
VISAR SADIKI
