Botë
Protestat në Tiranë, Rama ofron “Paktin për universitetet”; Studentët: nuk duam pakte, plotësoni 100% të 8 pikat
19.12.2018 19:04
Në ditën e 16 të protestës së studentëve, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar planin konkret për të përmbushur 8 pikat e studentëve...

Në ditën e 16 të protestës së studentëve, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar planin konkret për të përmbushur 8 pikat e studentëve, duke e pagëzuar me emrin “Pakti për universitetin”.
Sipas draftit, tarifat e shkollimit do të paguhen nga qeveria nga 100% deri në 50% me shkallëzim.
Për studentët me mesatare 9-10, për studentët nga familje në ndihmë ekonomike, si edhe për të verbrit dhe studentët paraplegjikë e tetraplegjikë, do të ketë edhe një bursë prej 100 dollarësh.
Kryeministri ka folur në universitetin e Vlorës për reduktimin e këtyre tarifave, duke u shprehur se protesta duhet të marrë fund dhe të ketë dialog.
Por, studentët vijojnë të jenë të vendosur në qëndrimin e tyre për të mos pranuar dialog, por përmbushjen në masën 100 për qind të 8 pikave.
Në krahasim me ditët e tjera, pjesëmarrja e studentëve në protestë sot ka qenë më e ulët. Ndërkaq, ata kanë paralajmëruar se protesta do të përshkallëzohet sërish në muajin janar.
LULJETA NDOKA
