Miratohen dy projekt ligjet, Gjermania hap dyert për punëtorët e kualifikuar
Tre ditë para pushimeve të fundvitit dhe pas debatesh shumë të gjata...

Tre ditë para pushimeve të fundvitit dhe pas debatesh shumë të gjata, qeveria e kancelares Merkel miratoi dy projektligje për emigrimin e punëtorëve të kualifikuar. Projektligji i parë rregullon emigrimin e fuqisë punëtore nga jashtë, ndërsa projektligji i dytë u mundëson si ish-azilkërkuesve të refuzuar të kthehen në emigrantë ekonomikë.
Ligjet më parë duhet të miratohen nga parlamenti dhe Këshilli Federal. Kristian-demokratët dhe kristian-socialët, kanë frikë se dhënia e lejes së qëndrimit për azilkërkues të refuzuar mund të shërbejë si joshje për shumë emigrantë ekonomikë që të vijnë në Gjermani ilegalisht, fillimisht si azilantë, me shpresën se më pas mund të kthehen në emigrantë.
Megjithatë projektligji i jep mundësi qeverisë që ta pezullojë ligjin, në rast se konstatohen abuzime masive. Pritet që ligjet të kalojnë në Bundestag dhe Bundesrat deri nga mesi i vitit 2019, në mënyrë që të mund të vihen në jetë në fillim të janarit të vitit 2020.
