Maqedoni

Protestat në Tetovë, Çeliku: zgjidhni përfaqësues, që të debatojmë; Revoltohen studentët: nuk duam debat, por plotësim të të gjitha pikave

20.12.2018 16:23

Ka dështuar takimi i studentëve në rektoratin e Universitetit të Tetovës...

Studentët u pritën nga prorektori, Arbër Çeliku, i cili ka kërkuar që studentët të zgjedhin një këshill koordinues prej 13 studentësh, nga një prej secilit fakultet, që të diskutojnë për kërkesat e tyre.
 
“Ne jemi rektorat, formuloni këshillin koordinues, le të vijnë 13 përfaqësues, le të debatojmë për problemet konkrete, për çështjet dhe hallet që kanë studentët. Ne jemi të vetëdijshëm se ata kanë halle. Edhe këto kërkesa  mundemi në mënyrë të drejtpërdrejtë me Këshillin koordinues t’i trajtojmë dhe dalim pastaj në konferencë për shtyp dhe të themi se kemi arritur këto çështje që janë me interes jetik për studentët, për shoqërinë, për universitetin”,- tha prorektori i UT-së, Arbër Çeliku.
 
Por, studentët kanë refuzuar këtë propozim. Ata këmbëngulin për pranim të kërkesave pa kushte e jo për negociata. 
 
“Të gjithë studentët të cilët kanë protestuar të marrin indeksat dhe të vijmë të bisedojmë dhe kjo që thotë ai që duhet, 7 ose 8 studentë të përfaqësojnë grupin e protestuesve, kjo është edhe një goditje e studentëve për t’i përçarë ata”,- tha një student.
 
“Studentët e Maqedonisë që studiojnë në Kosovë e kanë 50 euro semestrin, kurse ne këtu 2000 euro, kjo është një padrejtësi. Furnizimi i laboratorëve, tre mikroskopa janë dhe ata nuk punojnë. Të lejohet shikimi i provimeve dhe mbajta e konsultimeve pas provimeve dhe të vlerësohet prezenca e studentëve gjatë ligjëratave, ushtrimeve dhe aktiviteteve si dhe shtimi i afatit të prillit etj”,- u shpreh një student.
 
Studentët dorëzuan kërkesat e tyre në Universitetin e Tetovës dhe presin përgjigje gjatë ditëve në vijim.
 
Ata janë të prerë se ultimatumi 7-ditor drejtuar institucioneve mbetet ende në fuqi dhe nuk do të ketë negociata me askënd por vetëm plotësim të pikave të ultimatumit.
 
Në të kundërtën nuk përjashtojnë as radikalizimin e protestave.
 
VISAR SADIKI