Maqedoni
Ligji për amnisti, Ristovska: jo rikualifikim për ata që nuk i përfshin ligji; Çento-Jug: vendimi nga gjykata, jo nga politika
20.12.2018 17:23
Ligji i amnistitë për ngjarjet e 27 prillit të vitit të kaluar në Kuvend ka futur në huti edhe prokurorët...

Prokurorja, Villma Ruskovska, tha se nuk do të ketë rikualifikim të veprës për ndodhitë e 27 prillit për disa prej të akuzuarve, por pret ta shikojë ligjin e shkruar në Gazetën Zyrtare që të qartësohen veprimet e gjykatës.
E pyetur se ç’do të ndodhë nëse vendos që askënd të mos e amnistojë, Ruskoska tha se si prokurore do të respektojë ligjin.
“Rikualifikim nuk do të ketë për ata të akuzuar që nuk përfshihen me amnistinë, sepse amnistia nuk vlen për të gjithë veprën penale “kërcënim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”. Si do të arrijnë kërkesat për amnisti, ashtu do të vendoset individualisht. Nëse për ndonjërin nga të akuzuarit vërtetohet se ka qenë edhe organizator, i njëjti do të përgjigjet edhe për veprën penale “bashkim për veprimtari armiqësore” dhe për veprën penale “kërcënim terrorist i rendit kushtetues dhe sigurisë””,- tha prokurorja, Vilma Ruskovska.
Për disa pjesë të ligjit që nuk janë precizuar, Ruskovska paralajmëroi konsultime shtesë.
Të akuzuarit, Jane Çento dhe Igor Jug, në seancën e sotme thanë se nuk do parashtrojnë kërkesë për amnisti dhe kërkojnë që vendimin ta sjellë Gjykata dhe jo elitat politike.
Çento thotë se ka besim tek gjykata e secili duhet të përgjigjet për veprimet personale brenda kuvendit. Jug thotë se nuk do të kthehet në monedhë të dikujt për tregti dhe ligjin e quan selektiv. I dyshuari tjetër, Goran Gjoshevski, ende nuk e di nëse do të parashtrojë kërkesë.
“Me mbrojtjen time do të shohim se çka përfshin ligji, nuk mund të dimë asgjë para kohe. Mediat po japin sqarime të ndryshme se kush do përfshihet, unë nuk mund të jap pasi kjo është punë e Gjykatës dhe Prokurorisë”,- tha i dyshuari për 27 prillin, Goran Gjoshevski.
Gjykimi për 27 prillin u shty për nesër për t’i lënë kohë mbrojtjes së Çavkovit të përgatitet për dëshmitë plotësuese. Ky është gjykimi i parë për rastin, pas miratimit të Ligjit për amnisti, që aktualisht pret firmën e presidentit.
FLUTURA LATIFI
