Maqedoni

Amendamentet kushtetuese, Kosova do të njihet si fqinje edhe në kushtetutë

20.12.2018 18:23

Kanë vazhduar debatet në Komisionin për Çështje Kushtetuese për propozim amendamentet 33 deri në 36...

U refuzua amendamenti i deputetit, Fadil Zendeli, që kërkon që nënshtetësia të jetë e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe u miratoi amendamenti që nuk definon përkatësinë etnike.
 
Komisioni pranoi edhe amendamentin që Kosova të njihet si shtet fqinj në ligjin kushtetues. Debatit nuk i munguan as akuzat se kush është më shqiptar se tjetri. 
 
“Sovraniteti, siç theksohet tek Kushtetuta, buron nga qytetarët, nuk buron as nga maqedonasit as nga shqiptarët, por nga qytetarët, dhe këto janë dispozita kushtetuese, të cilat ju po dëshironi t’i tejkaloni dhe të impononi një moment i cili nuk ka njohjen e kushtetutës”,- tha deputeti i Lëvizjes BESA, Fadil Zendeli.
 
“Nuk qëndron ajo ku thotë se unë jam shqiptar, sepse me këtë po tregoni se ju jeni më shqiptarë se unë, apo ta marrim të kundërtën që të them se unë jam më shqiptar se ju apo më shqiptar se Talati, këtë e tregojnë dhe definojnë ata të cilët na kanë dhënë përkrahje”,- u shpreh deputeti i LSDM-së, Muhamet Zekeri.
 
Deputetët e pavarur të shkëputur nga VMRO-DPMNE kanë kërkuar që me ligj të precizohet se nëse Greqia nuk ratifikon këtë marrëveshje në Parlament, ndryshimet kushtetuese të bien poshtë. 
 
“Të gjitha ndryshimet kushtetuese por edhe obligimet tjera të hynë në fuqi atëherë kur Greqia ta ratifikojë marrëveshjen në Parlament, me qëllim që anëtarësimi ynë të jetë i sigurt dhe Greqia të mos ketë mundësi që akoma ta bllokojë anëtarësimin tonë. Nëse kjo nuk ndodh nga pala greke, të gjitha këto ndryshime le të bien në ujë si të pavlefshme”,- u shpreh deputetja e pavarur, Elizabeta Kançevska Milevska.
 
Amendamentet kushtetuese pasi të marrin dritën e gjelbër nga komisioni amë, do të kalojnë në debat parlamentar, i cili do të duhet të përmbyllet deri më datën 9 janar.    
 
FITIM KRYEZIU