Botë
Mungesa e qeverisë, si ndikon ajo në Kosovë!
17.08.2014 14:57
Status quoja politike në Kosovë vazhdon deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës...

Status quoja politike në Kosovë vazhdon deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila pritet që brenda gushtit të dalë me vendim të prerë rreth nismës së PDK-së për shqyrtimin e kushtetueshmërisë së themelimit të shumicës parlamentare dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Analistët janë të ndarë sa i përket situatës politike në Kosovë. Për disa situata e krijuar është një test për demokracinë e brishët në Kosovë, për të tjerë status quoja politike dëmton vendin në më shumë sfera.
“Kosova aktualisht nuk ka një vakum institucional ashtu sic është argumentuar nga disa. Qeveria e Republikës së Kosovës po kryn detyrat e veta. Kushtetuta e Kosovës nuk ofron ndonjë hapësirë ose mundësi tjetër në një kohë pas zgjedhjeve. Pra nuk kemi qeveri në largim, as qeveri në detyrë, pra kemi Qeveri derisa të zgjidhet Qeveri e re” thotë Ramadan Ilijazi, analist nga Kosova
“Nuk është shumë ndihmuse që do të ketë një vakum për një kohë, pavarësisht nga fakti që Qeveria aktuale, z. Thaci është në detyrë akoma, por sigurisht që krijon implikime negative për cështjet ekonomike të sigurisë, stabilitetit dhe cështje më afatgjata“, shprehet Albert Rakipi, studiues nga Shqipëria.
Partia Demokratike e Kosovës, e cila fitoi zgjedhjet e 8 qershorit, por nuk arriti të bëjë shumicën e nevojshme në parlamentin Kosovar dhe vazhdon të kërkojë një partner të koalicionit për të formuar qeverinë e ardhshme, edhe pse, që nga përfundimi i zgjedhjeve të 8 qershorit e deri me sot, asnjë nga partitë që kanë fituar ulëset në kuvendin e Kosovës, nuk ka shpreh gatishmëri për të bashkëqeverisur me koalicionin “Misioni i RI”, i cili udhëhiqet nga PDK-ja e Thacit.
SHPËTIM NUREDINI
