Rasti “Titanik”, PSP prezantoi audio përgjime të reja

21.12.2018 15:34

Në seancën e sotme gjyqësore për rastin “Titanik”, PSP prezantoi....

Në seancën e sotme gjyqësore për rastin “Titanik”, PSP prezantoi dëshmi të reja që kanë të bëjnë me parregullsitë zgjedhore, përfshirë audio biseda të incizuara nga gazetarë të TV A1 në vitin 2011.

Në një bisedë telefonike mes kinse një të punësuare në Qendrën për komunikime të VMRO-DPMNE-së, siç prezantohet gazetarja dhe një bashkëbisedues, që dëgjohet se si e “punësuara” nga VMRO-DPMNE-ja e pyet bashkëbiseduesin se a kanë votuar të gjithë ata të cilët i ka propozuar dhe e udhëzon të mos japin deklaratë për OSBE-në. Por, në telefon bashkëbiseduesi i konfirmon se gjithçka do të jetë ashtu siç kërkojnë. Për këtë dëshmi reagoi avokati, Vasilevski, sepse, sipas tij, ky është një incizim telefonik i regjistruar në mënyrë të jashtëligjshme nga ana e një gazetareje dhe kërkoi të mos merret për dëshmi. Po ashtu prokurori publik, Burim Rustemi, prezantoi dokumentet dhe listat e vendvotimeve.

Në këtë rast janë të akuzuar ish-kryeministri i shtetit, Nikolla Gruevski, Kiril Bozhinovski, Mile Janakievski, Gordana Jankullovska, Biljana Brishkovska, Ilija Dimovski, Munir Pepiq, Edmond Temelko, Leno Ristovski, si dhe disa të tjerë. Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Osman Shabani, në fillim të seancës gjyqësore konstatoi se avokati i të akuzuarit, Nikolla Gruevski, e ka njoftuar se tërhiqet nga autorizimi për ta përfaqësuar klientin e tij në procesin e mëtejmë gjyqësor. Gruevski, i cili ka fituar azil në Hungari, po gjykohet në mungesë. (Rejhane Bushi Metaj, TVM2)