Forumi Rinor Arsimor: Studentët pa përfaqësues në kuvendet studentore

21.12.2018 16:01

Edhe pse Ligji i arsimit sipëror është miratuar më 8 maj, universitetet publike në Maqedoni....

Edhe pse Ligji i arsimit sipëror është miratuar më 8 maj, universitetet publike në Maqedoni nuk i kanë organizuar strukturat e unioneve studentore që përfaqësojë kërkesat e studentëve. Kështu vlerësuan përfaqësuesit e Forumit Rinor Arsimor. Sipas tyre, zgjedhjet e fundit  për  udhëheqësinë  e kuvendeve studentore në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” janë realizuar në vitin 2016 dhe kishin rezultuar me studentë të rrahur dhe prezencë të njësive speciale policore. Që atëherë studentët nuk kanë pasur mundësi që realisht të marrin pjesë në organet vendimmarrëse. Një situatë e tillë mbretëron në të gjitha universitetet publike.                                                                                                               

“Në afat gjashtë mujor prej hyrjes në fuqi të Ligjit të arsimit sipëror është dashur të realizohen zgjedhje për përfaqësues dhe kryetarë të Kuvendit Studentor, por nuk ka asgjë në këtë drejtim. Po ashtu Drejtoria e Rektoratit funksionon pa praninë e studentëve, që nënkupton mosinteresim për rëndësinë e studentëve dhe përfaqësimin e tyre në këto struktura”,- tha Petar Barllakovski nga Forumi Rinor Arsimor.               

“Te universitet shqiptare shihet një letargji, mospërfaqësim dinjitoz dhe adekuat i të drejtave të studentëve, prandaj studentët janë në rrugë duke mos pasur mënyra për t’i kanalizuar kërkesat e tyre, kanë dalë në rrugë, përmes presionit kërkojnë realizimin të kërkesave”,- theksoi drejtori i OJQ “Demokraci Lab”, Sefer Selimi.

DEPUTETËT TË VOTOJNË STATUSIN E UNIVERSITETEVE

“Tentojmë të kontaktojmë me deputetët që t’i nxisim të vendosin në rend dite statutet e universiteteve, sepse ka 3 muaj që na premtohet se ky statut do të vendoset në rend dite por ende ne po vazhdojmë të presim”,- u shpreh përfaqësuesi i Organizatës Studentore në Fakultetin Juridik, Borjan Eftimov.

“Këshilli Shkencor Arsimor i Fakulteteve tani e tutje patjetër duhet t’i integrojë përfaqësuesit e studentëve në Kuvendet, sepse atje miratohen politikat afatgjata për organizatat studentore”,- deklaroi anëtari i grupit punues të Ligjit për arsim sipëror, Stefan Dojçinovki.

Përfaqësuesit e Forumit Rinor Arsimor shpresojnë në ndryshime pozitive, sepse studentët janë anëtarë të barabartë të bashkësisë akademike. Projektin për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies për organizimet studentore e mbështet Ambasada e ShBA-ve në vendin tonë. (Flutura Latifi, TVM2)