Kulturë
QTF dhe TFÇ, këtë vit 100 shfaqje për fëmijë
21.12.2018 17:15
Qendra Teatrore për Fëmijë dhe Teatri për Fëmijë në Çair, shënuan paraqitjen e shfaqjes së 100 për vitin 2018...

Këto shfaqje janë realizuar përmes reprizave të shfaqjeve “Në botën e fabulave”, në regji të Besfort Idrizit, “Mullinjtë e erës”, në regji të Blerta Rrustemit “Përralla postare” në regji të Katja Petrova dhe “Poshtë krevatit”, që trajton temën e frikës në mënyrë gazmore, që është adekuate për moshën e fëmijëve.
“Bëhet fjalë për shfaqje për fëmijë për të gjitha moshat, e cila flet për dy fëmijë, një vëlla dhe një motër, prindërit e të cilëve kanë shkuar në pushime dhe i kanë lënë vet te tezja dhe pasi është shtëpi e re, shtrat i ri, për ata mundohen që ta kalojnë një natë aty dhe në ndërkohë fillojnë që të merren me atë frikën fëmijërore se çfarë mund të ketë jashtë krevatit, çfarë mund të dalë nga aty”,- tha regjisori i shfaqjes “Poshtë krevatit”, Besfort Idrizi.
Drejtori i teatrit, Bajrush Mjaku, shpreh dëshirën e kamotshme për ta institucionalizuar Qendrën teatrore si teatër për fëmijë dhe të rinj.
“Meqë sot e përjetuam reprizën e 100 që është për ta vlerësuar... Ne kemi aplikuar në Ministrinë e Kulturës për ta institucionalizuar këtë organizatë joqeveritare në Qendrën teatrore për fëmijë, ta institucionalizojmë si teatër për fëmijë, të rinj, si të vetmin në RM, në gjuhën shqipe”,- theksoi drejtori i Teatrit të Fëmijëve, Bajrush Mjaku.
Nxënësit e shkollave fillore me entuziazëm flasin për shfaqjet dhe dëshirën e madhe për t’i ndjekur sa më shumë.
“I kam dëshirë shfaqjet, kam ndjekur shumë shfaqje, si p.sh.: “Borëbardhën”, “Hirushen” etj. Dua të shoh sa më shumë shfaqje dhe ndoshta do të jem aktore”,- u shpreh nxënësja, Amina Zendeli.
“Teatrin e vizitoi shumë dhe shfaqjet më pëlqejnë shumë”,- potencoi nxënësi, Vigan Mexhiti.
Teatri i fëmijë është përkrahur nga Ministria e Kulturës dhe komuna e Çairit për realizimin e disa projekteve, thotë drejtori, Bajrush Mjaku.
VLORA LATIFI TOPOJANI
