Maqedoni
Plagosja e Valon Belës, Spasovski: po hetohen motivet dhe arsyeja; Alla: Ganiu sot ishte në vendin e punës
21.12.2018 17:46
Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se dje rreth orës 17 e 45 është denoncuar se në rrugën “Llazo Tërpkovski” në komunën e Çairit...

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se dje rreth orës 17 e 45 është denoncuar se në rrugën “Llazo Tërpkovski” në komunën e Çairit është shtënë me armë zjarri ndaj drejtorit të Klinikës Gjinekologjike, Valon Belës, i cili ka marrë plagë në gjurin e këmbës së majtë.
Ndaj tij ka shtënë një person i cili ka qenë bashkë me personat me iniciale E. H., E. A. dhe R. N..'
“Janë identifikuar personat që e kanë bërë atë ndaj drejtorit, po punohet për zbardhjen e motiveve për këtë ngjarje. Kemi edhe paraqitje të kryetarit të komunës së Çairit për kërcënime të caktuara nga Valon Bela ndaj kryetarit. Të gjitha këto aspekte do t’i marrim parasysh në zbardhjen e rastit dhe në bazë të të gjitha fakteve do të konfirmohet se çka është arsyeja dhe motivet dhe normalisht do të barten edhe pasoja”,- tha Oliver Spasovski nga MPB.
Zëdhënësi i komunës së Çairit, Kushtrim Alla, bën të ditur se kryetari i Çairit, Visar Ganiu, sot ka qenë në vendin e punës.
“Kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu, që nga orën 8 e 40 minuta ka qenë në vendin e tij të punës duke i kryer obligimet ditore profesionale të cilat rrjedhin nga agjenda e tij”,- u shpreh zëdhënësi i komunës së Çairit, Kushtrim Alla.
Ndërkohë, nga Spitali Kirurgjik në Shkup bëjnë të ditur se gjendja shëndetësore e Valon Belës, i cili ka qenë i plagosur me dy plumba, pas intervenimit kirurgjik, është stabile.
SEDAT SELIMI
