Maqedoni

Kuvend, 35 ligje do të miratohen deri në fund të janarit

21.12.2018 17:59

35 ligjet e propozuara nga ana e Qeverisë në punën e komisioneve parlamentare për pajtim dhe integrim priten të miratohen deri në fund të muajit janar...

Kështu kanë bërë të ditur deputetët pas takimit të përbashkët të Nëngrupit për reforma pranë Grupit interparlamentar për reforma, integrim dhe pajtim.
 
Deputetët njëzëri janë marrë vesh në mbledhjen e sotme të Nëngrupit për reforma që mos të ketë ndalesa në ligjet të cilat kanë prioritet, me qëllim harmonizimin e ligjeve reformuese me standardet evropiane.
 
Tani prej të hënës Kuvendi do të fillojë me procesin e miratimit të këtyre ligjeve, ku për një pjesë të tyre do të nevojiten edhe 2/3 e votave të deputetëve.
 
“Mendoj se me harmonizimin e propozim ligjeve nga deputetët së bashku me Qeverinë, krijohen kushte që javën e ardhshme kryetari i Parlamentit të ftojë seancë parlamentare për të gjitha ligjet dhe kjo procedurë do të shkojë me lexim të parë, me lexim të dytë dhe deri në fund të janarit pres që të miratohen të gjitha ligjet”,- u shpreh deputeti i BDI-së, Rexhail Ismaili.                                                                                                                    
Ismaili po ashtu pohoi se nëse për ndonjë ligj do të ketë pengesë apo bllokadë, do të shkohet me procedurë të përshpejtuar.
 
Deputetët e shumicës parlamentare presin që këto ndryshime kushtetuese t’i përkrahin 8 deputetët e larguar të VMRO-DPMNE-së, por edhe disa deputetë të VMRO-DPMNE-së. Rëndësi të veçantë pritet të marrë Ligji për Prokurorinë Speciale Publike, i cili pritet të jetë në mesin e ligjeve që do të kenë prioritet.
 
“U morëm vesh pasi që një kohë të gjatë të njëjtat po përgatiten, përfaqësuesi i Qeverisë na informoi se cilat janë ato ligje të cilat kanë marrë dritë të gjelbër nga Komisioni Europian. Nuk mund t’ju jap informacion të sigurt se cilat ligje do të gjinden këtu, por sigurisht që këtu do të jetë ligji për Këshillin Gjyqësor”,- tha deputetja e LSDM-së, Snezhana Kaleska Vançeva.                                                                                            
Qeveria ka propozuar që Specialja të vendoset në kuadër të Prokurorisë Publike.
 
Deputetët e përjashtuar nga VMRO-ja kërkojnë që organi special i akuzës të funksionojë në kuadër të Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion, ndërsa vetë ekipi i Katica Janevës ka propozuar që institucioni i tyre në funksionojë si organ i pavarur, pa mandat të kufizuar dhe me të drejtë për hapjen e akuzave të reja që burojnë nga përgjimet e paligjshme.  
 
FITIM KRYEZIU