Maqedoni
Tetovë, protesta kundër kazinove dhe bastoreve
21.12.2018 18:13
Qindra banorë të Tetovës me rrethinë kanë protestuar në sheshin “Iliria”, kundër kazinove,bastoreve dhe lojërave tjera të fatit...

Lëvizja Anti Bixhoz, si organizatore e protestës, ka theksuar se nuk ka kompromis me qeverinë për sa i përket sjelljes së Ligjit për kazinotë dhe bastoret sportive.
Ata kërkojnë të sillet ligji ku këto veprimtari do t’i detyronte të dislokohen 3 klm jashtë vendbanimeve dhe institucioneve publike.
“Dëshiroj t’ju bëj me dije se nuk do të pranojmë ligj i cili është në dëm të interesave të popullatës. Vendosja e të gjitha lojërave të fatit me distancë 3 klm nga çdo vendbanim; Të hartohet strategji nacionale për edukim për dëmet që shkakton bixhozi. Nga kjo protestë e fuqishme dërgojmë mesazh te të gjithë deputetët që të mos të votojnë ligjin e propozuar nga Ministria e Financave”,- theksoi Xhemal Abdiu nga Lëvizja Anti Bixhoz.
“Çfarë i afrohet nxënësit nga rrugët që lëviz sot nëpër Tetovë, a do ëndërrojë të jetë një artist, mjek, inxhinier, apo rrugët e stërmbushura me vende ku në të merret liria e lumturia”,- tha Nuhij Ganija nga Lëvizja Anti Bixhoz.
Protestën e përkrahën edhe bashkësitë fetare, përkatësisht myftinia e BFI-së - Tetovë dhe Kisha ortodokse Tetovë-Gostivar.
“Nuk kemi mundësi të lëvizim as një sokak, as një rrugë, as një pëllëmbë, ngado që kthehemi na dominojnë kazinotë. Ne do të rrimë këtu për t’i mbrojtur rininë, mos të na ikin apo ata do t’i fusim në borxhe, do t’i sëmurim psiqikisht dhe të largohen nga vendlindja, me këmbëngulësi duhet të luftojmë”,- tha myftiu në Myftininë e Tetovës, Qani Nesimi.
“Nëse në diçka mund të bashkohemi, ajo është e keqja më e madhe e këtij shekulli dhe bote që jetojmë, e kjo është bixhozi apo kumari. Dhe për këtë edhe Kisha ortodokse e Maqedonisë, Dioqeza e Tetovës dhe Gostivarit, e përkrah këtë nismë dhe këtë protestë kundër kësaj të keqeje nga e cila shumë të rinj humbin shpirtin e tyre, shëndetin dhe perspektivën”,- deklaroi Aleksander Stojanovski nga Dioqeza-Tetovë Gostivar.
Ndërkohë, kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, është shprehur se politika duhet të dëgjojnë zërin e popullit.
“Normalisht, për mua si nënkryetare e partisë dhe si kryetare e komunës së Tetovës, vlen dhe kam vendosur gjithmonë të dëgjojë zërin e qytetarit tim. Mendojmë se brenda subjekteve tona kjo çështje duhet të shikohet me seriozitetin e duhur”,- tha kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
Lëvizja Anti Bixhoz ka kërkuar nga Qeveria e Maqedonisë, që të ketë debat publik para se të sillet Ligji për lojërat e fatit.
Ata më tej shtuan se nëse nuk pranohen amendamentet e tyre që janë propozuar, do të vazhdojnë me protesta.
VISAR SADIKI
