Maqedoni

Ivanov dekretoi amnistinë për “27 prillin”, Ligji u publikua edhe në Gazetën Zyrtare

21.12.2018 18:25

Kryetari i shtetit, Gjorge Ivanov, ka nënshkruar dekretin e Ligjit për amnisti, i cili është publikuar edhe në Gazetën Zyrtare...

Kjo do të thotë se secili nga të dyshuarit, akuzuarit apo dënuarit deri më 25 dhjetor, varësisht nëse i plotësojnë kushtet e parapara, do të kenë të drejtë të parashtrojnë kërkesë për amnistim,ndërsa gjykata dhe prokuroria do të kenë afat gjithashtu prej 5 ditësh të përgjigjen se kush do të amnistohet dhe kush jo.
 
Sipas avokatit mbrojtës, Xvonko Davidoviq, ky është Ligj i parë që amnistimi është selektiv, andaj është i bindur se përfundim të drejtë juridik për këtë rast nuk do të ketë.
 
Edhe pse si avokat mbrojtës ai pranon se ngjarja e “27 prillit” ka ndodhur dhe aty janë lënduar deputetë dhe gazetarë dhe kjo është e palejueshme për çdo shtet. Sipas nenit 2 të këtij ligji, vendimi për amnisti duhet të sjellë gjykata që ka miratuar aktvendimin e shkallës së parë, ndërsa ne akoma nuk kemi vendim për këtë lëndë, shprehet Davidoviq.
 
Sipas tij, Ligji ka shumë mangësi, ndërsa akoma nuk është përcaktuar nëse do të kërkojnë amnistim.
 
“Nuk mund të ju them nëse do të parashtrojnë kërkesë pasi që dje u publikua ligji dhe duket të konsultohemi me të akuzuarit, pasi që ai është vendimi i tyre. Kategoritë që i parasheh ligji janë të ndryshme. Sipas nenit 1, paragrafi 3, nuk përfshin persona për të cilët ekziston dyshim i arsyeshëm se kanë përgatitur ngjarje në kryerjen e veprave penale “shoqërim për veprime armiqësore”. Nga ajo që e lexoj nuk bëhet fjalë për këtë lëndë”,- tha avokati mbrojtës, Xvonko Davidoviq.
 
Avokati, Dragan Peshevski, është i bindur se të akuzuarit që ai përfaqëson, Goranço Angellovski –Qoseto dhe Ivan Cvetanovski, do t’i përfshijë amnistimi.
 
“Unë si avokat mbrojtës vërtetoj se me vet publikimin e ligjit, menjëherë do të parashtroj kërkesë për amnestim edhe për Goran Angellovin dhe Ivan Cvetanovskin. Nga ajo që e lexova ligjin jam i bindur se i përfshin”,- tha avokati mbrojtës, Dragan Peshevski.
 
Përderisa një pjesë e të akuzuarve të cilët përfshihen në Ligjin për amnisti mezi presin të dorëzojnë kërkesë, të akuzuarit, Jane Çento dhe Igor Jug, deklaruan se nuk do të parashtrojnë kërkesë për amnisti.
 
Ata kërkojnë që vendimin ta sjellë gjykata dhe jo elitat politike. Prokurorja publike, Villma Ruskoska, ka deklaruar se do të veprojë në bazë të ligjit, ndërsa tha se nuk do të ketë rikualifikim të veprës. 
 
Ndërkohë që Ligji për amnisti ka hyrë në fuqi, në Gjykatën Penale, me shpalosjen e dëshmive plotësuese materiale, ka vazhduar gjykimi për dhunën e përgjakshme në Kuvend.
 
Në lëndën për dhunën në Kuvend janë të akuzuar 33 persona, prej të cilëve 31 për rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe shtetit, dhe 2 për nxitje.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI