Irak, kurdët i drejtohen Digës në Mosul
Forcat kurde po avancojnë në një ofensivë për të rimarrë digën e Mosulit nga kontrolli i grupit xhihadist, Shteti Islamik...

Forcat kurde po avancojnë në një ofensivë për të rimarrë digën e Mosulit nga kontrolli i grupit xhihadist, Shteti Islamik. Një operacion i përbashkët mes forcave kurde, të mbështetur edhe nga sulme ajrore të SHBA-ve, po zhvillohet që prej orës 5 të mëngjesit.
Diga, një impiant strategjik, e cila furnizon me ujë dhe elektricitet Irakun verior, është pushtuar nga militantët e IS-is më 7 Gusht. Xhihadistët kanë pushtuar një pjesë të madhe të territorit në Irak dhe Siri, duke detyruar miliona vetë të zhvendosen.
Sulme ajrore nga SHBA-të kanë vijuar prej mbrëmë, kundër objektivave të IS-is pranë digës dhe qytetit të Irbilit.
Gjithsej janë goditur 14 mjete të zotëruara nga militantët e Is-is, përfshi edhe një mjet të blinduar të lënë në Irak nga Shtetet e Bashkuara, kur ato u tërhoqën 3 vite më parë, por që tashmë kishte përfunduar në duart e militantëve.
Ka shpresa që militantët të detyrohen të largohen nga diga, nga kërcënimi i forcës ekstreme që mund të ushtrohet ndaj tyre. Diga shihet si një objektiv jetësor, mbi të gjitha për shkakun se shkatërrimi i saj do të shkaktonte një fatkeqësi, duke përmbytur me një valë ujore prej 20 metrash lartësi në qytetin e Mosulit e më pas drejt Bagdadit.
E ndërsa në terren, përpjekjet për zmbrapsjen e ISIS-it vazhdojnë, kryeministri britanik David Cameron foli për “Sunday Telegraph” për nevojën e një reagimi të palëkundur, i cili të përfshijë rrugët e ndihmës, diplomacisë, por edhe ato ushtarake, në përballjen me mbështetësit e Shtetit Islamik në Irak e Levant.
Bashkë me Gjermaninë e disa vende të tjera, Mbretëria e Bashkuar po shpërndan ndihma humanitare për refugjatët në veri. Cameron paralajmëron se, pa ndërmarrjen e veprimeve urgjente, kjo degë e helmët e ekstremizmit islamik, - siç e quan ai, - do ta çojë terrorin në rrugët e Anglisë.
Bota, - thotë kreu i ekzekutivit britanik, - nuk mund të mbyllë njërin sy përballë krijimit të një kalifati të terrorit në zemër të Irakut. E teksa luftëtarët e ISIS-it kontrollojnë sot mijëra kilometra katrorë në Irak e Siri, Cameron duket i bindur se po të mos frenohen tani, këta ekstremistë do të krijojnë një shtet terrorist në brigjet e Mesdheut.
MIGENA GORENCA
