Maqedoni

Amnistia për 27 prillin, deri të martën, afati i fundit për kërkesat

23.12.2018 15:20

Të martën skadon afati 5 ditor, për dorëzimin e kërkesave për përfitim të amnistisë, për të të akuzuarit për ngjarjet e 27 prillit të një viti më parë në Kuvendin Republikan...

Të pandehurit mund të paraqesin kërkesat e tyre  në Gjykatën Penale personalisht , ose përmes postës. Pas pranimit të këtyre kërkesave, fillon afati tjetër 5 ditor gjatë të cilit Gjykata dhe Prokuroria do të vendosin se kush mund të përfitojë nga ligji për amnisti që të enjten pasi mori dritë jeshile nga presidenti, u publikua edhe në Gazetën Zyrtare.
 
Edhe pse gjatë javës që lamë në më shumë raste pas vetë prokurorët, gjykatësit dhe avokatët, u shprehën se kanë ende paqartësi se si duhet të vendosin, ligji qartëson fare mirë se amnistia nuk përfshin në asnjë rast organizatorët, personat të cilët kryen akte të  dhunës fizike, personat e armatosur dhe personat zyrtarë të cilët i kanë tejkaluar autorizimet zyrtare. Sipas ligjit për amnisti, që u miratua më 18 dhjetor me procedurë të shkurtuar, seicili nga personat e dyshuar për dhunën në Kuvend, ka të drejtë të kërkojë amnisti nëse konsideron se i plotëson kushtet e përcaktuara me këtë ligj.
 
Tashmë dy nga të pandehurit, Jane Çento dhe Igor Jug janë deklaruar qartë se nuk do të parashtrojnë kërkesë për amnesti. Ata kërkojnë që vendimin ta sjell Gjykata dhe jo elitat politike. Për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend janë akuzuar gjithsej 33 vetë, prej të cilëve 31 për kërcënim terrorist të rendit kushtetues të shtetit dhe dy për nxitje.
 
REJHANE METAJ