Maqedoni
Ligji për gjuhët, Osmani: Zyrtarizimi në janar, bashkë me ndryshimet kushtetuese
23.12.2018 17:04
Zv/kryeministri për Çështje Europiane, Bujar Osmani e vlerëson këtë vit si vit historik....

Zv/kryeministri për Çështje Europiane, Bujar Osmani e vlerëson këtë vit si vit historik, vit i përparimit dhe i hapërimit të madh të vendit në aspektin euro integrues. Ndër çështjet thelbësore politike që shkojnë drejt përfundimit , janë Marrëveshja e Prespës dhe ligji për gjuhën shqipe, që pritet të shpallet në gazetën zyrtare deri në fund të janari.
“Nuk presim dhe nuk shpresojmë që të kemi ndonjë marrëveshje me Presidentin lidhur me Ligjin e gjuhëve. ..Pas përfundimit të procesit të ndryshimeve kushtetuese do të vijojë edhe publikimi i marrëveshjes me Greqinë, si parakusht për të vazhduar procesin në Greqi , edhe Ligji i gjuhëve. Dhe të dy këto ligje do të publikohen nga Kryetari i Kuvendit në Gazetën zyrtare, në kuadër të Kushtetutës si rezultat i mos-respektimit të Kushtetutës nga Presidenti”, tha Bujar Osmani.
Osmani pret që deri në publikimin e raportit të ardhshëm të BE-së, vendi të përmbyllë të gjitha detyrimet që dalin nga “Plani 18”. Ai beson se ligjet që nevojiten 2/3 e votave të deputetëve, do miratohen shumë shpejt në Kuvend, ndërsa shprehet optimist se vitin e ardhshëm vendi do të merr datën për fillimin e negociatave për pranimin në BE.
“Janë gjithsej 101 masa të paraparë në katër shtylla, në gjyqësor, shërbimet e inteligjencës, administratën publike dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. 66 % prej tyre janë veçmë të implementuara edhe pse kemi ende kohë deri në publikimin e raportit të BE-së”, tha Osmani.
Osmani nuk përjashtoi mundësinë që pas përfundimit të ndryshimeve Kushtetuese të ketë edhe rikonstruim të qeverisë.
REXHEP QAMILI
