“Titanik-2”, në gjykatë u dëgjuan 8 “bomba”
Me prezantimin e tetë materialeve të përgjuara, të ashtuquajtura “bomba”....

Me prezantimin e tetë materialeve të përgjuara, të ashtuquajtura “bomba”, ka vazhduar gjykimi për rastin “Titanik-2”, që ka të bëjë me parregullsitë zgjedhore në vitin 2013.
Protagonisti kryesor në këto materiale është gazetari, Dragan Pavlloviq-Llatas, i cili bisedon me ish-kryeministrin, Nikolla Gruevski, ish-ministrin e shëndetësisë, Nikolla Todorovin, dhe Jovançe Angellovskin.
Tema kryesore e bisedimeve është votimi i ankesave të dorëzuara në KShZ për rivotim në zgjedhjet lokale në Strumicë. Në një bisedë dëgjohet se si Gruevski i thotë Llatasit: “U dakorduam me PDSh-në që t’ia hedhim Zaevit në Strumicë”, ndërsa ky i fundit i përgjigjet: “Marrëveshja me PDSh-në mund të ju kushtojë shumë shtrenjtë”. Po ashtu Gruevski i thotë Llatasit: “Janë parashtruar ankesa për Kërçovën, vetëm që të kalojë votimi në KShZ për Strumicën”.
Në bisedat tjera të përgjuara të realizuara rreth mesnatës, Llatas dhe Todorov bisedojnë se falë anëtarëve të PDSh-së në KShZ-së, Zoran Zaev ka gjasa të humb komunën e Strumicës, në të cilën aso kohe ka garuar për kryetar komune në këto zgjedhje.
“Ra Strumica, fituam në mitingun e fundit. PDSHhvotoi për ne, bie Zaevi”, i thotë i emocionuar Todorovi, Llatasit.
Në një bisedë tjetër mes Llatasit dhe Nikolla Todorovit, asokohe shef i shtabit zgjedhor të VMRO-së bisedohet për politikën redaktuese të TV Sitel lidhur me votimin në KShZ.
“Kjo dramë do të jetë nesër. U stërzgjat aty-këtu, e nëse e refuzon BD-në dhe LSDM-në do të jetë dramë”,- thotë Todorov.
PSP në rastin “Titanik 2” akuzon ish shefin e DSK-së, Sasho Mijallkov, liderin e PDSh-së, Menduh Thaçin, si dhe ish anëtarët e KShZ-së, Bedredin Ibraimin, Aneta Stefanovskën, Vllatko Sajkovskin dhe Sasho Sërçevin.
Ndërkohë, gjykimi për rastin “Tarifa” ka vazhduar me dëgjimin e dëshmisë së një dëshmitari të propozuar nga pala mbrojtëse, ndërsa gjykimi për “Fortesa 2” u anulua për shkak të përcaktimit të një gjykatësi të ri për këtë lëndë. (Rexhep Qamili, TVM2)
