Maqedoni
Në mesnatë nis festa e Krishtlindjes, Sereqi: Në 2019-n, prift shqiptar në Shkup
24.12.2018 16:06
Dëshira e besimtarëve katolikë shqiptarë për vend për vitin 2019 është të kenë një prift shqiptar.....

Një nga besimtarët katolik shqiptar, Anton Sereqi, shfaq shpresën se në Shkupin e Nënë Terezës dhe ipeshkve, Lazër Mjeda, Pjetër e Andrej Bogdani, më në fund lutjet do të mund të kryhen edhe në gjuhën shqipe.
“Një problem që vazhdimisht e kemi pasur është mungesa e një prifti shqiptar, mirëpo si duket aktivitetin që e kemi pasur 20 viteve të fundit më në fund do të kemi sukses si dhuratë e Zotit. Presim së shpejti të na vijë një prift nga Kosova, besoj që do të na kthejë në kishë më tepër prej shqiptarëve dhe është e vërtetë që kemi mbetur shumë pak, disa me arsye e disa pa arsye, rrethanat e kanë bërë të vetën. Me ardhjen e priftit do të mund ta kthejmë atë atmosferë në kishën e Nënë Terezës ku do të dëgjohet edhe shqip”,- tha besimtari katolik, Anton Sareqi.
Sereçi thotë se Krishtlindja për besimtarët katolikë është një festë e ardhjes në këtë botë, festa e lindjes së Jezusit. Ai sqaron se pas meshës në kishë në familjet katolike për këtë festë bëhen përgatitje të ushqimeve speciale por edhe vizita familjare.
“Vetë përgatitja e ushqimit flet për një ambient të festës. Na ka mbetur traditë zakonisht kur kthehemi pas meshe në mbrëmje shtrohet darka. Në darkë më së shumti preferohet peshku, pastaj nga ëmbëlsirat, e ziejmë grurin me arra, pastaj kungullin si simbol i festave dhe kuptohet e pashmangshme edhe bakllavaja”,- tha Sareqi.
Krishtlindja paraqet një ndër festat më të rëndësishme për besimtarët e krishterë, të cilët në mesnatë mblidhen në kishë për të kremtuar Krishtlindjen, përkatësisht lindjen e Jezusit, për të cilin të krishterët besojnë se është Biri i Perëndisë dhe Perëndia vetë e mishëruar, që zbriti në tokë, për të shlyer mëkatet e njerëzimit dhe për ta kthyer atë në shtëpinë e Perëndisë.
REJHANE BUSHI METAJ
