Rasti “Titanik 2”, publikohen “bombat” për votimin në KShZ

24.12.2018 16:18

Me prezantimin e tetë materialeve të përgjuara, të ashtuquajtura “bomba”...

Me prezantimin e tetë materialeve të përgjuara, të ashtuquajtura “bomba”,  ka vazhduar gjykimi për rastin “Titanik-2”, që ka të bëjë me parregullsitë zgjedhore në vitin 2013.

Protagonisti kryesor në këto materiale është gazetari, Dragan Pavlloviq-Llatas, i cili bisedon me ish-kryeministrin, Nikolla Gruevski, ish-ministrin e shëndetësisë, Nikolla Todorovin, dhe Jovançe Angellovskin. Tema kryesore e bisedimeve është votimi i ankesave të dorëzuara në KShZ për rivotim në zgjedhjet lokale në Strumicë. Në bisedën e parë Nikolla Gruevski i paraqitet gazetarit, Dragan Pavllovoq –Llatas. “Janë dorëzuar ankesa për Kërçovën, vetëm e vetëm të na kalojë votimi në KShZ për Strumicën. Saktësisht në këtë moment votojnë dhe do të votojnë të përmbajtur. Do të ketë votim të ri dhe mundësi të re”,- thotë Gruevski.

Në bisedën e sërishme mes Gruevskit dhe Llatasit informohet për përkrahjen e PDSh-së në votimin në KShZ, ndërsa ky i fundit më shumë është i brengosur për Kërçovën se sa për Strumicën.

“Nga kjo bëjmë tre ditë dramë. Bëjmë marrëveshje me PDSh-në, ata të na përkrahin dhe të marrim edhe Zaevin”.

Në bisedën e radhës mes Latasit dhe Nikolla Todorovit - shef i atëhershëm i shtabit zgjedhor të VMRO-DPMNE-së, - rregullohet politika redaktuese e televizionit Sitel, që ka të bëjë me votimin në KShZ.

“Kjo dramë do të jetë nesër. Stërzgjatet andej-këndej, ndërsa nëse na e refuzojnë BDI dhe LDSM do të jetë dramë”,- thotë Todorovi.

Në bisedën e datës 29 mars, Todorovi informoi Latasin për votimin në KShZ. “Pazar i lehtë BDI dhe LSDM, PDSh votoi për ne. Ra Strumica, ra Zaev”.

Latasi në bisedën e tij thotë se Zaevi me siguri e ka shumë të vështirë dhe nuk do të kishte dashur të jetë nën lëkurën e tij.

Sipas akuzës, në mars të vitit 2013, Mijallkov ka kërkuar nga lideri i PDSh-së, Mendu Thaçi, që anëtari i PDSh-së në KShZ, Bedredin Imbraimi, të votojë për t’i pranuar ankesat e VMRO-DPMNE-së për Strumicën, edhe pse nuk ka pasur bazë ligjore për këtë.

Gjykimi për këtë lëndë vazhdon më 23 janar. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)