Qeveria promovoi portalin "data.gov.mk", ofrohen të gjitha shërbimet e institucioneve
Qytetarët, organizatat qeveritare dhe joqeveritare, sektori i biznesit....
Qytetarët, organizatat qeveritare dhe joqeveritare, sektori i biznesit, por edhe të gjithë qytetarët, prej sot do ta kenë në shërbim portalin më të ri data.gov.mk, i cili ofron të gjitha shërbimet e institucioneve shtetërore.
Në këtë portal do të bëhen publike të gjitha të dhënat dhe informacionet e të gjitha institucioneve lokale dhe qendrore, portal ky i cili do të jetë në shërbim të qytetarëve për nevojat e tyre të përditshme.
Sipas zyrtarëve qeveritarë, kjo metodë e re e punës së institucioneve shtetërore ndihmon qytetarët t’i marrin informacionet e duhura për cilindo shërbim që japin institucionet nga cilado sferë e jetës.
“Me këtë portal kemi shërbime më efikase deri tek qytetarët, por njëkohësisht kemi edhe një administratë publike më efikase. Përmes kësaj qytetarët do të kenë mundësi ta ndihmojnë qeverinë në krijimin e politikave, por edhe ta analizojnë punën tonë. Me këtë portal mendoj se luftohet edhe korrupsioni, por mundëson edhe hapjen e vendeve të reja të punës dhe parandalon çfarëdolloj keqpërdorimi”,- tha ministri i shoqërisë informative, Damjan Mançevski.
“E konsideroj këtë si një nga shumë hapat të cilat i kemi ndërmarrë ne si qeveri kur e iniciuam projektin ambicioz për reforma politike dhe demokratike që ta kthejmë besimin e qytetarëve tek institucionet e sistemit”,- theksoi ministri pa resor, Robert Popovski.
Sipas ambasadores së Britanisë së Madhe në Shkup, Rejçel Gallovej, përmes këtij portali, qytetarët do të kenë mundësi që të kërkojnë nga institucionet e shtetit që t’i bëjnë publike disa të dhëna të cilat ndoshta nuk do të jenë në portal, por të cilat janë në interes të tyre. Përmes portalit do të mundësohet që qytetarët të aplikojnë për pasaportat e tyre të skaduara, certifikatat e lindjes, apo edhe për atë se në Maqedoni çfarë medikamente përdorin, sa janë ato të shtrenjta dhe sa janë kualitative.
“Të dhënat publike nënkuptojnë qasje më të lehtë në punën e Qeverisë dhe shërbimet e Qeverisë i ofron tek ju. Kur qytetarët do të munden që në një vend t’i gjejnë informacionet, si: në cilën shkollë ta regjistrojë fëmijën, apo si e ka suksesin ai fëmijë në atë shkollë, apo cilat janë mundësitë për shërbime shëndetësore dhe harxhimet të cilat kërkohen për ato shërbime, qytetarët do të kenë njohuri më shumë se si harxhohen të hollat e tyre dhe taksat të cilat i paguajnë ato në drejtim të shtetit, si dhe cilat mundësi më të mira sistemi shtetëror i ofron për ta”,- u shpreh ambasadorja e Britanisë në Maqedoni, Rejçel Gallovej.
Ky ka qenë rezultat i grupit të punës për politika të hapura dhe transparente, i cili ishte themeluar në dhjetor të vitit të kaluar. Strategji e veprimit të këtij grupi punues është paraparë për periudhën 2018-2020, ku përfshihen jo vetëm anëtarë të kabinetit qeveritar por edhe administratorë dhe persona nga sektori civil.
Ky projekt u realizua nga Ministria për Shoqëri Informative me ndihmën e Ambasadës Britanike në Shkup. (Fitim Kryeziu, TVM2)
