Ndotje enorme e ajrit në Shkup dhe qytete tjera, Makraduli: Ndotja në shkallën e informimit

24.12.2018 17:08

Njësitë matëse për cilësinë e ajrit të Ministrisë së Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor...

Njësitë matëse për cilësinë e ajrit të Ministrisë së Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor kanë regjistruar nivel të lartë të grimcave PM10 në pjesën më të madhe të vendit, njofton “TVM2”.

Sa i përket Shkupit, më së shumti grimca PM10 janë regjistruar në komunën Qendër, ku janë matur 302 mikrogram grimca PM10 për metër kub, në stacionin matës të Rektoratit janë matur rreth 180 grimca PM10.

Në komunën e Karposhit niveli i ndotjes së ajrit ka qenë 179, në Manastir 159, në Strumicë 156, në Tetovë dhe Kavadar niveli i grimcave PM10 ka qenë 134. Bazuar në rregullativën e qeverisë për nivelin e ndotjes, sot është arritur shkalla e informimit, ndërsa nëse edhe nesër niveli i ndotjes do të jetë i lartë, autoritetet do të shpallin shkallën e alarmimit.

“Në përputhje me rregullativën e sjellë nga qeveria e cila të përkujtoj se ditët nga 5 dhe 10 u zvogëluan në dy ditë vitin e kaluar. Sot është tejkaluar niveli i informimit, por ajo rregullativë varet nga të dhënat e stacioneve matëse dhe kushtet meteorologjike. Ashtu është gjithkund në botë. Meqë herën e kaluar ishte e qartë se për kohë të shkurtër do të fryjë erë nga veriu, prandaj nuk u parashtrua informatë për tejkalimin i nivelit. Sot kemi tejkalim të shkallës së informimit, prandaj është informuar opinioni dhe institucionet kompetente. Kemi dy shkallë, atë të informimit dhe alarmimit. Sot nëpërmjet ministrisë sonë është dërguar informatë se është tejkaluar shkalla e informimit dhe pasojnë masat standarde që të mos dilet pa nevojë në ambient të hapur, më shumë qytetarë të udhëtojnë me një veturë, kujdes shtesë duhet të kenë të sëmurët kronikë”,- tha zëvendësministri i ambientit, Jani Makraduli.  

QYTETARËT: NDOTJA PO NA VËSHTIRËSON FRYMËMARRJEN  

Shkupjanët thonë se ndotja e lartë e ajrit po u vështirëson frymëmarrjen.

“Si jo, shumë ka qenë njeriu, nuk mundte të merrte frymë”,- u shpreh një qytetar.                                                          

“Ma i ndotur nuk ka ku të shkojë, ndjehet në gjoks, nuk është frymëmarrja në rregull”,- tha një qytetar.                                                                                                

"Është problem kur është ajri shumë i ndotur e kur është pak nuk është problem”,- potencoi një qytetar.                                                                               

Për shkak të mjegullës së dendur në disa rrugë të vendit është zvogëluar dukshmëria deri në 50 metra, prandaj nga Lidhja Auto - Moto apelojnë për kujdes të shtuar nga vozitësit.

Vështirësi ka pasur edhe sa i përket qarkullimit ajror. Në aeroportin e Shkupit një pjesë e fluturimeve është anuluar, ndërsa një pjesë janë realizuar me vonesë. (Gyltene Sinani, TVM2)