Maqedoni

BESA: Amendamente për gjuhën dhe përkatësinë etnike

24.12.2018 18:03

Lëvizja Besa e Bilall Kasamit ka propozuar amendamentet e tyre për ndryshimet kushtetuese....

Ata kërkojnë të intervenohet në amendamentet për gjuhën dhe për përkatësinë etnike. Në amendamentit 5 të Kushtetutës kërkojnë të bëhet intervenim  për të siguruar që gjuha shqipe të jetë bashkërisht gjuhë zyrtare me gjuhën maqedonase. Sipas deputetit Zendeli, kjo do të siguronte ardhmëri të përbashkët të komuniteteve etnike. 
 
“Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjuhë tjetër zyrtare dhe e ndryshme nga gjuha maqedonase është gjuha shqipe dhe shkrimi i saj latin. Pra, kërkojmë një ndryshim vetëm te paragrafi 2 i amendamentit 5 të Kushtetutës”,- tha Fadil Zendeli nga Lëvizja BESA.
 
Në amendamenti 36  të paragrafit  3,  BESA kërkon që bashkësitë etnike të shprehen si subjekte reale, sepse qytetarët tjerë të Maqedonisë me versionin e tanishëm mbesin vetëm nocione, ndërsa për maqedonasit ekziston nocioni “maqedonas”.  
 
“Unë i propozoj shumicës parlamentare dhe Qeverisë një zgjidhje që besoj se do t’i plotësonte ambiciet e të gjitha palëve. Edhe ashtu vet nocioni “maqedonas/qytetar të Republikës së Maqedonisë së Veriut” e ka kuptimin  ose-ose,  dhe në atë kuptim për komunitetin etnik maqedonas mund të përdoret zgjidhja maqedonase, ndërsa për të gjitha komunitet tjera etnike të mbetet qytetar të Republikës së Maqedonisë së Veriut”,- u shpreh Fadil Zendeli nga Lëvizja BESA.
 
Afati i fundit për propozimin e amendamenteve për ndryshimet kushtetuese është 31 dhjetori, ndërsa më 9 janar thirret seanca plenare.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU