Ligji Anti-korrupsion e kaloi filtrin e parë
Ligji për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesave....

Ligji për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesave kaloi filtrin e parë parlamentar, njofton “TVM2”.
Opozita e kundërshtoi ligjin pasi, sipas tyre, veç më dihet se kush do të jetë në krye të Komisionit Anti-korrupsion duke iu shtuar fuqia.
DIMOVSKI: ANTI-KORRUPSIONI TË ZGJIDHET ME LIGJIN E VJETËR
Ilija Dimovski në replikat e tij disa herë kërkoi që Komisioni Anti-korrupsion të zgjidhet sipas ligjit të vjetër, pasi që nëse pritet ligji i ri atëherë edhe zgjedhjet presidenciale do të kalojnë pa u formuar ky komision.
“Për t’u publikuar shpalljet do të duhet seancë e veçantë e kuvendit, që të zgjidhet komisioni duhet seancë e veçantë, nuk do të arrini. Ose do të zgjedhim Komision Anti-korrupsion sipas ligjit të vjetër, ose nuk do të ketë Komision Anti-korrupsion gjatë presidencialeve. Nëse nuk ka atëherë kjo do të jetë një minus i madh për zbatimin e ligjeve”,- tha Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
VELLKOVSKI: MUNDËSOHET TRANSPARENCË MË E MADHE
Nga LSDM konsiderojnë se pikërisht me ligjin e ri hapet rruga transparente e zgjedhjes së përbërjes së re.
“Ligji ka transparencë më të madhe, profesionalizëm dhe komisioni do të ketë më shumë kompetenca në punën e mëtejme. Unë vetëm apeloj dhe dëshiroj të mos kemi raste sikurse në të kaluarën, pasi që kemi shqyrtuar raporte të komisionit ku është theksuar se gjatë punës njëvjeçare kanë pasur vetëm një konferencë për media. Kjo është e patolerueshme dhe një gjë e tillë në të ardhmen nuk duhet të ketë”,- tha Dime Vellkovski nga LSDM.
TATIMI PROGRESIV, KUVENDI MIRATOI LIGJIN PAS SHUMË KUNDËRSHTIMESH
Përplasje midis shumicës dhe opozitës hapi edhe ligji i cili u miratua për tatim progresiv që duhet të aplikohet nga janari i vitit të ardhshëm. Parashikohet vendosja e pagesës së tatimit prej 18% të të ardhurave që tejkalojnë 1 milion e 80 mijë denarë në nivel vjetor ose 90 mijë denarë në nivel mujor. Varësisht nga lartësia e rrogave dhe pensioneve do të caktohet edhe tatimi i tyre. Opozita vlerësoi se rritja e tatimeve do të shkatërrojë ekonominë e Maqedonisë dhe do të dërgojë sinjal negativ sikurse te investitorët e vendit por edhe të huaj në mungesë të sigurisë tatimore që deri më tani kanë pasur. (Meral Ismaili, TVM2)
