Ekonomi

Oda Ekonomike: Kompanitë e mëdha ngecin te inovacionet

24.12.2018 18:15

Kompanitë e mëdha të etabluara tradicionalisht në Maqedoni, që përbëjnë gati 90 për qind....

Kompanitë e mëdha të etabluara tradicionalisht në Maqedoni, që përbëjnë gati 90 për qind të ekonomisë së vendit, renditen të fundit në rajon sa i përket inovacioneve dhe digjitalizimit. Nga Oda Ekonomike theksojnë se për të përmirësuar situatën në këtë drejtim, nga viti i ardhshëm do të organizojnë trajnime mes këtyre kompanive dhe bizneseve që vijnë nga sektori i IT, e që janë më të përparuara në këtë drejtim.
 
“Vitin e ardhshëm do të iniciojmë bashkëpunimin e këtyre dy kategorive të kompanive. Qëllimi është të ndihmojnë njëri tjetrin. Kompanitë e mëdha tradicionale do të ndajnë përvojën, strategjitë e tyre më kompanitë më të vogla dhe kompanive start up të reja, dhe në këtë mënyrë këto të fundit do t'u mësojnë atyre metoda se si të modernizojnë, të sjellin inovacion dhe të digjitalizojnë”,- tha Tanja Shterjova nga Oda Ekonomike.
 
Igor Maxhov - përfaqësues i kompanive start up, - theksoi se kompanitë start up dhe bizneset që vijnë nga sektori i IT janë më dinamikë në këtë drejtim dhe lehtë iu përshtaten trendeve të reja, duke përfaqësuar madje dinjitetshëm Maqedoninë në tregun global.
 
“Maqedonia është një shtet i vogël që mënyrën se si do ta rrisë ekonominë e saj mund ta shohë përmes inovacioneve. Start up kompanitë janë kompani të vogla, mirëpo me një rritje të shpejtë dhe janë të futur mirë në tregun e digjitalizimit, ndërsa pikërisht këtë proces duam të zhvillojmë edhe me kompanitë e mëdha tradicionale të etabluara mirë në tregun vendor”,- theksoi përfaqësuesi i kompanive Start-Up, Igor Maxhov.
 
Maxhov dhe Shtrejova vlerësojnë se me rrjetëzimin e parashikuar dhe krijimin e partneriteteve midis kompanive do të krijohet një lidhje që do t'u mundësojë të gjitha kompanive se si të lëvizin më lehtë nga ideja në plane konkrete.
 
ZEKIRIJA MEXHITI