Amnestia, në gjykatë parashtrohen 38 ankesa
Të dënuar dhe të pandehur për ngjarjet e 27 prillit përpiqen të përfitojnë nga Ligji për amnisti....

Të dënuar dhe të pandehur për ngjarjet e 27 prillit përpiqen të përfitojnë nga Ligji për amnisti, njofton “TVM2”. Edhe pse nuk është konfirmuar zyrtarisht, mësohet se në Gjykatën Penale kanë arritur mbi 30 kërkesa për falje nga personat e akuzuar dhe dënuar për rrezikim terrorist ndaj rendit kushtetues dhe ata që më parë ishin dënuar me dënime me kusht për dhunë.
Të parët që parashtruan kërkesë për falje ishin deputetët që hapën portat e Kuvendit, përkatësisht, që të premten, kur Ligji u shpall në Gazetën Zyrtare, kërkesë për falje dorëzuan deputetët, Kërsto Mukoski, Goranço Anegeloski – Qoseto, Ivan Cvetanovski, Mlladen Dodevski, Oliver Radulov si dhe Nikolla Mitrevski – Koljo. Falje kanë kërkuar edhe deputeti, Ljupço Dimovski, Aleksandar Vasilevski – Ninxha, ndërsa amnisti do të kërkojnë edhe Goran Gjoshevski – Levi dhe Abdylfeta Alimi. Tani për tani, të pandehurit, Igor Jug dhe Jane Çento, deklaruan se nuk do të kërkojnë mëshirë.
Kryeministri, Zoran Zaev, nismëtar i idesë për pajtim dhe Ligjit për amnisti nuk deshi të flasë për procesin.
Për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend janë akuzuar gjithsej 33 persona, prej të cilëve 31 për kërcënim terrorist të rendit kushtetues të shtetit dhe dy për nxitje. Afati pesëditor për dorëzimin e kërkesave për amnisti mbaron të martën.
Ligji nuk përfshin organizatorët, ata që kanë kryer dhunë fizike, ata që kanë mbajtur armë dhe zyrtarë që i kanë tejkaluar autorizimet e tyre.
Pas skadimit të afatit për parashtrim të kërkesave, Gjykata dhe Prokuroria do të ketë afat prej pesë ditëve të përgjigjen kush do të falet e kush jo. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
