Maqedoni
VMRO-DPMNE me interpelancë për Spasovskin. LSDM: Iku koha e keqpërdorimit të policisë
24.12.2018 18:27
VMRO-DPMNE ka nisur interpelancë për punën e ministrit të brendshëm, Oliver Spasovskit....

Siç njoftoi koordinatori i kësaj partie, Nikolla Micevski, interpelancën e dorëzojnë për shkak se ministri në fjalë nuk po e kryen detyrën e tij siç duhet dhe se vendi është shndërruar në mburojë të krimit dhe korrupsionit.
“MPB, në vend se të luftojë krimin dhe korrupsionin, është shndërruar në institucion i cili shërben për grumbullimin e ryshfetit dhe mbrojtjen e krimit. Që kur ministri Spasovski filloi të drejtojë Ministrinë e Brendshme, qytetarët janë viktimë e përditshme e plaçkitjeve, përpjekjeve për vrasje, vrasjeve dhe veprimeve të dhunshme që mbeten të pandëshkuara. Se Ministria e Brendshme nuk e kryen punën siç duhet flet edhe sondazhi i Eurobarometrit më 12 shtator, ku thuhet se vetëm 34% e qytetarëve kanë besim tek policia, ndërsa 61% e qytetarëve nuk i besojnë policisë. Puna joprofesionale e Ministrisë së Brendshme është reflektuar edhe me rritjen e korrupsionit në vend”,- tha Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i LSDM-së. Nga kjo parti nëpërmjet një komunikate kanë akuzuar kreun e VMRO-DPMNE-së se në mungesë të aftësive për ta çuar vendin përpara dorëzon interpelanca pa bazë: “Si dora e majtë e Nikolla Gruevskit, edhe Mickoski i paaftë ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për 11 vjet kriminale kur policia e keqpërdorur mbronte krimin e qeverisë në vend se ta ndiqte atë. Nuk ka më VMRO-MVRO, seli të partisë dhe mbrojtje të kriminelëve, policia sot funksionon në mënyrë të përgjegjshme, në mënyrë të pavarur dhe profesionale, si një partner i vërtetë dhe mbrojtës të qytetarëve. Shkalla e krimit zvogëlohet, institucionet kompetente veprojnë në mënyrë efektive dhe pa dallim pas çdo shkelje të ligjeve. Qytetarët janë të sigurt. Sondazhet e opinionit publik e konfirmojnë këtë. Sipas sondazheve të OSBE-së, 75 për qind e qytetarëve ndihen të sigurtë”,- thuhet në kumtesën e LSDM-së.
NAIM RAMADANI
