Maqedoni
Ndotje e lartë e ajrit në Tetovë, qytetarët: Ndotja po na ngulfat; Ambientalistët: Grimcat PM10 janë kancerogjene
24.12.2018 18:44
Tetova po ngulfatet nga ajri i ndotur, prezenca e grimcave PM10 m3 dhe PM 2.5 m3, ditët e fundit kanë pasur ngritje...

Qytetarët shprehen se nuk mund të marrin frymë nga ndotja e madhe në qytet. Ata njëherit kritikojnë institucionet që nuk po ndërmarrin asgjë.
“Shumë na pengon ajri i ndotur. Nuk mendoj se kanë bërë diçka, nuk kanë bërë asgjë. Tetova duhet të ketë ajër më të pastër, që fëmijët mos të thithin ajër të ndotur shumë. Po sigurisht, kemi probleme me frymëmarrjen, probleme të mëdha”,- u shpreh një banor.
“Na pengon shumë, shumë. Për fëmijët është katastrofë, ne do të përballojmë, por për fëmijët është katastrofë. Asnjë gjë, asgjë nuk kanë bërë dhe nuk janë duke bërë asgjë”,- theksoi një banor.
Ekspertët i ambientit, Asan Idrizi, thekson se grimcat PM10 dhe 2.5 m3 janë kancorogjene dhe lëshohen në atmosferë nga lëndët e ndryshme djegës që përdorin qytetarët. Por, ai thekson se pas mbylljes së “Jugohromit”, Tetova ka ajër më pak të ndotur.
“Prezenca e grimcave PM10 vjen si rezultat i grimcave të cilat lirohen në djegien e lëndës djegëse. Këto grimca ndikojnë në shëndetin e njerëzve, pra janë kancorogjene. Atëhërë shtohet pyetja nga vijnë? Sigurisht, vijnë nga rezultati i lëndës djegëse. Çfarë lëndë djegëse përdorin këtu në qytetin e Tetovës dhe vendbanimet tjera, duke marrë parasysh se Tetova është një qytet mjaft i koncentruar dhe i dendur dhe sigurisht edhe përdorimi i lëndëve djegëse është shumë i madh në një territor shumë të vogël. Kryesisht gjatë sezonit dimëror përdorin drunj, shumë përdorin burime tjera alternative, siç është gazi ose peletat”,- tha ambientalisti, Asan Idrizi.
Përndryshe, Cyte Tree u vendos në qendër të Tetovës që t’u ndihmojë qytetarëve të Tetovës të thithin ajër më të pastër. Ndërkohë, vazhdon të shkatërrohet e askush nuk merr përgjegjësi, as për mirëmbajtjen e saj për shkatërrimin e saj. Kjo ka kushtuar mijëra euro dhe është vendosur në sheshin e Tetovës.
VISAR SADIKI
