Botë

“2019-a, viti i rezistencës”. Hungarezët, dy javë protesta kundër “ligjit të skllavërisë”

24.12.2018 22:09

Protestat në Hungari, kundër rregullores për orët e punës jashtë orarit, nuk kanë të ndalur. Demonstruesit e kanë shpallur vitin 2019 si “vitin e rezistencës”....

Prej dy javësh, mijëra vetë kanë dalë në rrugë kundër të ashtuquajturit “ligj i skllevërve”, i cili rrit numrin e orëve të lejuara jashtë orarit.
 
Të dhënat e Institutit “Publicus”, për studimin e opinionit publik në Budapest, tregojne se 66 për qind e hungarezëve i mbështesin protestuesit dhe një shumicë edhe më e madhe sesa kaq është kundër këtij ligji.
 
Legjislacioni i ri u aprovua javën e kaluar, me gjithë kundërshtimin e madh nga sindikatat, partitë opozitare dhe organizatat civile, e në një shpjegim shtesë, qeveria iu uronte qytetarëve Krishtlindje të gëzuara “në rrethin e familjes dhe të miqve”, gjë që analistët e cilësuan “cinike”.
 
Të shtunën, kryeministri Viktor Orbán foli për herë të parë për demostruesit, në një mënyrë krejt poshtëruese. Në intervistën e tij javore me radion “Kossuth”, ai e përkufizoi protestën si një “britmë histerike”, e përsëriti akuzën se pas saj qëndron miliarderi amerikan George Soros.
 
Sindikatat hungareze po përpiqen sakaq të organizojnë një grevë në rang vendi pas pushimeve./Top Channel