Maqedoni

Gjykata Penale, 38 kërkesa për amnisti për “27 prillin”

25.12.2018 10:52

Sot skadon afati për parashtrimin e kërkesave për amnisti të personave të përfshirë në incidentet e 27 prillit të vitit të kaluar në kuvend....

Deri tani në Gjykatën Penale në Shkup kanë arritur gjithsej 38 kërkesa për amnisti. Në mesin e atyre që kanë kërkuar amnisti janë deputetët, Kërsto Mukoski, Lupço Dimovski dhe Johan Tarçullovski, por edhe Aleksandar Vasilevski – Ninxha, Nikolla Mitrevski Kolo, Goran Angellov Qose, Ivan Cvetanovski, Goran Gjoshevski – Levi dhe Mitko Peshov, vëllezërit Mihail dhe Stefan Mlladenovski, Abdulfeta Alimi dhe Zaharie Simovski.
 
Kërkesë për amnisti kanë dorëzuar edhe Boris Damovski, njëri nga tre udhëheqësit e protestave “Për Maqedoni të Bashkuar” dhe kolegu i tij, Igor Durllovski, Jane Çento dhe Igor Jug, të cilët janë në mesin e 33 të akuzuarve. Kërkesë për amnisti mund të dorëzojnë edhe tanimë të dënuarit për tentimvrasje të deputetit, Ziadin Sela, por edhe për sulmin kundër ministres, Radmilla Shekerinska.
 
Avokatët e Pançe Angellov, i cili është dënuar me burg prej 4 vjetëve për veprën “dhunë” ndaj Shekerinskës më 27 prill dhe të Nikolla Vojminovskit, i cili është i dënuar me 13 vjet e gjysmë për tentim vrasje të Ziadin Selës, kanë konfirmuar se kanë dorëzuar kërkesë për amnisti.