ShGM, sfera e mediave në vitin 2018, Sekullovski: Ka regres, qeveria nuk bëri reforma
Sfera e mediave në vitin 2018 në vend se të ketë përparim ka shënuar regres...

Sfera e mediave në vitin 2018 në vend se të ketë përparim ka shënuar regres. Edhe përskaj premtimeve të shumta, asgjë nuk ka ndryshuar në fushën e mediave, njofton "TVM2". Kështu thuhet në raportin vjetor për shkallën e lirisë së mediave dhe sigurinë e gazetarëve në Maqedoni për vitin 2018 të prezantuar nga ShGM.
Sipas raportit, Qeveria nuk pati sukses të përmirësojë rregullativën e mediave dhe nuk arriti t’i bëjë reformat të cilat gjatë kohë i ka promovuar.
“Në vitin 2018 jo vetëm që nuk ka pasur përmirësim në pjesën e rregullativës së mediave, por për fat të keq ka pasur edhe regres. Gjatë pushimeve verore, pa asnjë debat qeveria i miratoi ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe në Ligjin për financimin e partive politike. Këto ndryshime u mundësojnë partive politike të shpenzojnë para publike për financimin e propagandave në media gjatë kohës së zgjedhjeve dhe gjatë fushatës së referendumit që kishin këtë vit. Këto ndryshime do të kenë ndikim negativ në lirinë e mediave për shkak se ajo në një mënyrë është një rrugë e rrumbullakët për kthimin e reklamave qeveritare, me të cilat qeveria e kaluar kishte ndikim në politikat redaktuese të mediave”,- tha Dragan Sekullovski nga ShGM.
PËRPARIM VETËM NË ASPEKTIN E SIGURISË
Këtë vit ka përmirësime në aspekt të sigurisë së gazetarëve, mirëpo politika e mosndëshkimit ende ekziston në shtetin tonë. Nga 59 sulme, deri më tani janë zgjedhur vetëm dy. Nuk ka përmirësime as në aspekt të pozitës së gazetarëve në redaksitë, etikës profesionale dhe nivelit të censurimit, thuhet në raportin e prezantuar.
“Në Maqedoni, pothuajse gjysma e gazetarëve kanë pagë më të ulët se mesatarja kombëtare, që është rreth 24,000 denarë. Shumica e gazetarëve nuk kanë kontrata të punësimit me afat të caktuar dhe 19 për qind punësohen përkohësisht si punëtorë të pavarur. Mbi 55% e gazetarëve marrin rrogat me vonesë”,- theksoi Dragan Sekullovski nga ShGM.
Nga ShGM i bëjnë thirrje Qeverisë ta kuptojë seriozitetin e situatës me të cilën përballen mediat dhe gazetarët, dhe t’i kthejë reformat për media në Planin 18. Raporti është përgatitur në kuadër të projektit “Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për Avokimin e Lirisë së Medias dhe Sigurisë së Gazetarëve”, financuar nga Bashkimi Evropian. (Ersan Pajaziti, TVM2)
