Maqedoni
Kampusi universitar i UNT-së, adoptohen hapësirat e kazermës
25.12.2018 16:15
Me vendim të Qeverisë, projekti i kampusit universitar të UNT-së do të adaptohet në pjesën e Kazermës Ushtarake përballë Ambasadës së ShBA-ve...

Sipas rektorit, Azis Pollozhani, në këtë hapësirë janë paraparë të adaptohen edhe 2 objekte tjera për mësimdhënie apo konvikte, varësisht prej nevojës.
Parashihet që viti i ardhshëm akademik të fillojë në këtë hapësirë dhe në këtë lokacion të ndërtohet edhe objekti i ri i kampusit universitar të UNT-së. Ndërtimi i tij parashihet të realizohet në afat trevjeçar.
“Kur të fillojë sipas dinamikës së paraparë, parashihet jo më shumë se tre vjet, por nuk dua të shprehen me numra, sepse kjo çështje nuk varet nga ne, gjithsesi duhet që faza e përshtatjes të përfundojë, mjetet për adaptim i kemi, për të nisur, dhe mbesin edhe mjetet për projektin për të investuar dhe pjesa tjetër mbetet për vitin e ardhshëm”,- tha rektori i UNT-së, Aziz Pollozhani.
Po ashtu edhe statusi i UNT-së pritet të votohet në Parlament, vlerëson rektori Pollozhani, sipas të cilit nuk mund të fillohet procedura për zgjedhjen e dekanëve pa u votuar statusi dhe shumë procedura tjera që kanë stagnuar.
“Duhet forcë, kjo punë nuk është e lehtë, jo vetëm që ka bllokuar dhe pamundësuar strukturimin me ligj të organeve, por ne kemi të rëndësishëm edhe organizimin studentor dhe shumë çështje që rregullohen me status dhe kjo situatë është lënë në çështje të pavolitshme dhe kërkon zgjidhje dhe shpresoj se së shpejti do të kalojë sepse situata nuk është e pazgjidhshme”,- theksoi rektori i UNT-së, Azis Pollozhani.
Sipas Pollozhanit, karakteristikë e vitit që po e lëmë pas është se është rritur numri i studentëve, kanë filluar studimet postdiplomike, si dhe janë realizuar me sukses projektet Erasmus dhe Cepus dhe bashkëpunimet reciproke në sferën e hulumtimeve shkencore.
FLUTURA LATIFI
