Maqedoni
Ligji për amnisti, në Gjykatën Penale dorëzohen 57 kërkesa
25.12.2018 16:31
27 të akuzuar për ngjarjet e Kuvendit më 27 prill kanë dorëzuar kërkesa për amnisti në Gjykatën Penale në Shkup...

I akuzuari, Jane Çento, është deklaruar se nuk do të kërkojë amnisti, ka informuar kryetari i Gjykatës Penale në Shkup, Xholev. Edhe 30 persona të tjerë në pjesën e veprave tjera penale kanë kërkuar amnisti.
Në mesin e tyre janë edhe të dënuarit për tentim për vrasje të deputetit, Ziadin Sela, dhe i dënuari për dhunën fizike ndaj deputetes, Radmilla Shekerinska, si dhe pjesëmarrësit në turmë.
Afati për dorëzimin e kërkesave skadon në mesnatë, ashtu që pritet që numri i kërkuesve të rritet, informoi Xholev.
Gjykata duhet të vendosë në afat prej 5 ditëve pas pranimit të kërkesave se nëse do t’i amnistojë apo jo. Kontestuese mbetet çështja se cili Këshill do të vendosë, ai gjyqësor apo ai penal.
Sipas praktikës së deritanishme kur bëhet fjalë për raste kur nuk ka vendim meritor, duhet të vendosë gjykatësi në procedurë, në këtë rast Dobrilla Kacarska, sqaron kryetari i Gjykatës Penale, Xholev, por fjalën e fundit sipas kompetencave funksionale do ta ketë ai personalisht.
Gjykata duhet patjetër të veprojë sipas ligjit ku janë të sqaruar aktet të cilat nuk përfshihen me ligj, por para së gjithash duhet të pritet vendimi i Prokurorisë, për të cilin nuk janë të parapara afatet për veprim, thotë Xholev.
Sipas praktikës së deritanishme, siç tha Xholev, Gjykata mund të ndërpresë procedurën si në rastin me punëtorët e Mavrovës ose të miratojë aktvendim refuzues.
Fjalën e fundit do të duhet të japë Gjykata e Apelit në afat prej 3 ditëve, sqaroi kryetari i Gjykatës.
Ligji për amnisti më datën 19 të këtij muaji u publikua në Gazetën Zyrtare, pas nënshkrimit nga presidenti, Gjorgje Ivanov. Secili nga të akuzuarit për 27 prillin ka të drejtë të paraqesë kërkesë për amnisti nëse vlerëson se i plotëson kushtet e parapara me ligj.
Për ngjarjet e dhunshme në Kuvend janë të akuzuar 33 persona prej të cilëve 31 për rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe shtetit dhe 2 për nxitje.
FLORIJE BELULI KAMBERI
